Ministrja Ibrahimaj ka kundërshtuar deklaratën që ka thënë disa ditë më parë duke thënë se shteti nuk vazhdon të paguajë për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Sipas Ibrahimajt ka vetëm një buxhet për inceneratorin e Tiranës, i cili përdoret vetëm në rast se Bashkia e Tiranës nuk do të ketë mjaftueshëm buxhet për të mbuluar shpenzimet.
“Po deformohet opinioni publik. Nuk paguhet asnjë para nga buxheti i shtetit për impiantet e trajtimit të mbetjeve të Elbasanit e Fierit. Ndërsa për impiantin e Tiranës është një fond në buxhetin e shtetit prej 200 milionë lekësh, fond kontigjence në rast të paaftësisë paguese të bashkisë së Tiranës. Kjo është transparente. E mora fjalën për të sqaruar opinionin publik. Nuk është e drejtë të goditet vendimmarrja e qeverisë në mënyrë të tillë” tha Ibrahimaj.
Por dy javë më parë Delina Ibrahimaj deklaronte se kompanitë koncensionare do të vazhdonin të paguheshin deri në një vendim të prerë të gjykatës.
Sipas asaj që thoshte dy javë më parë, Ibrahimaj theksonte se ka një kontratë që shteti duhet të zbatojë, të cilën e zhbën vetëm vendimi i gjykatës.
“Janë subjekte hetime dhe s’ka vendim gjykate për ta, institucionet shtetërore s’mund të marrin masa. Kemi vijuar të respektojmë kontratën dhe do e bëjmë për sa kohë jemi në zbatim të kontratës, s’kemi njoftim nga institucionet ligj zbatuese ose të drejtësisë për të marrë masa për këto kontrata jemi në pritje të proceseve të drejtësisë, do marrim masa të nevojshme për respektimin e ligjit”, thoshte Ministrja Ibrahimaj. Mirëpo edhe pse ende nuk ka një vendim gjykate, Ibrahimaj ka ndryshuar deklaratën e saj, duke thënë që shteti nuk po paguan asgjë për inceneratorët.