Shtegtimi Atlantik nis sot: Shqiponja dykrenare kërkon historinë

Kombëtarja shqiptare do të luajë sot një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, atë të gjysmëfinales së Play Off-it për një vend në Kupën e Botës që fillon në qershor.

Sot kuqezinjtë do të jenë përballë një kundërshtari të vështirë si Polonia, por jo i pakalueshëm, pasi përballja e fundit mes dy ekipeve foli tërësisht për kombëtaren tonë.

Por, këtë herë do të luhet në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës, me vendasit që do të mbështeten nga më shumë se 50 mijë tifozë, teksa nuk do të mungojnë as tifozët shqiptarë, edhe pse shumë pak në krahasim me vendasit.

Trajneri Sylvinho publikoi listën me 26 lojtarët e grumbulluar ditën e shtunë, ndërkohë që sot 3 prej tyre do të jenë në tribunë. Asani, Gripshi dhe Cake nuk do të jenë pjesë e 23 lojtarëve në fushë dhe në stol.

Ndërkohë, nuk dihet se cili do të jetë formacioni startues i kombëtares shqiptare, pasi Sylvinho është treguar gjithmonë hermetik para çdo ndeshje.

Por, nisur edhe nga përballjet e tjera dhe skema me të cilën jemi mësuar ta shohim kombëtaren në drejtimin e Sylvinhos, gjasat janë që formacioni titullar të jetë ky:

Thomas Strakosha mbetet i padiskutueshëm në portë, ndërsa Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj do të formojnë digën e mbrojtjes. Në mesfushë thuajse e janë të garantuar një fanellë titullari Kristjan Asllani dhe Julian Shehu, ndërsa në balotazh janë Ylber Ramadani dhe Qazim Laçi.

Nedim Bajrami është një nga të preferuarit e trajnerit brazilian dhe duket se do të jetë në formacionin titullar, pavarësisht se ka luajtur shumë pak me ekipin e tij, ndërsa në krahun tjetër të sulmit pritet të ketë një fanellë titullari për Myrto Uzunin. Në qendër të sulmit është Armando Broja, i cili do të kërkojë të rikthehet te goli pas një mungese të gjatë.

Por, teksa në Varshavë do të luajë Shqipëria, në Bratislavë do të luajë gjysma tjetër shqiptare, Kosova. Përfaqësuesja kosovare do të ketë një sfidë delikate përballë vendasve, por forma e mirë e treguar në eleminatore ka sjellë optimizëm te ekipi, që synon t’i shkojë deri në fund këtij rrugëtimi.

Sot shqiponja dykrenare kërkon historinë, me Shqipërinë dhe Kosovën që do të bëjnë që zemra e çdo shqiptari të rrahë fort, për të përmbushur një ëndërr të madhe, kualifikimin në Botëror për herë të parë në histori.