“Shqiptarët kanë nevojë t’i shkohet deri në fund”, Tabaku-Ahmetajt: Bashkëpuno me SPAK!

Sot pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve i cili do të vendosë mbi mandatin e ish ministrit të Financave Arben Ahmetajt. Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja e PD Jorida Tabaku, e cila i bëri thirrje ish-ministrit Arben Ahmetaj që të bashkëpunojë me Prokurorinë e SPAK.

Në një deklaratë për mediat ajo u shpreh se dosja e SPAK për deputetin socialist faktoi çdo akuzë të ngritur nga Komisioni Hetimor për inceneratorët. Sipas Tabakut kësaj afere duhet t’i shkohet deri në fund.

“Kam një thirrje për Ahmetajn, thirrja imë është bashkëpunoni me drejtësinë, SPAK, shqiptarët kanë nevojë që ti shkohet kësaj afere deri në fund”, u shpreh ajo.

“Që prej vitit 2017 kam denoncuar vijimësisht aferën e inceneratorëve, ku askush nuk i mendonte përmasat e këtij skandali. Në vjeshtën e vitit 2021 Parlamenti i Shqipërisë votoi thuajse unanimisht për të ngritur komisionin hetimor të inceneratorëve. Qëllimi i këtij komisioni ishte të hetonte aferën e 430 mln eurove të dhuruar të njëjtëve persona të lidhur ngushtësisht dhe miqësisht me qeverinë, tre persona sot në kërkim dhe pa asnjë pasuri, aset, apo njohuri teknike e profesionale për të manaxhuar këtë projekt miliona eurosh. Komisioni hetimor zhvilloi mbi 55 dëgjesa publike që përkthehen në 60 orë dëshmi me një rëndësi jetike për këtë çështje.

Mbrojtja politike e organizuar dhe zbatuar me përpikmëri nga mazhoranca i shërbeu kësaj afere që të pësojë një metastazë duke u kthyer nga një incenerator në tre të tillë. Numri i personave dhe zyrtarëve të lartë të përfshirë në aferë është i madh dhe jo më kot SPAK ka kërkuar një mbledhje të Këshillit të Mandateve me dyer të mbyllura. Kjo, dëshmon qartësisht përgjegjshmërinë politike që ka sot mazhoranca që u kthye në mburojë për një aferë që nuk ka përse të lidhet me një emër pasi në fakt ka një bashkësi emrash të përfshirë dhe angazhuar për t’u miratuar

Sot kur tre persona janë përpara drejtësisë nuk ka më përgjegjësi individuale, sot ka përgjegjësi kolektive poliitke për të gjithë ato që kanë ideuar, miratuar në shkelje të ligjit, zbatuar e mbrojtur këtë aferë. Kushdo që i ka dalë për zot atyre që janë sot përpara drejtësisë e kujtdo që duhet të shkojë përpara drejtësisë. Tre instalacione të korrupsionit, papërgjeshmërisë qeveritare që buxhetit të shtetit dhe taksave të qytetarëve i ka kushtuar 430 mln euro. Ndërsa flasim inceneratori i Fierit ka kërkuar rritjen e kostos së pastrimit nga bashkia Fier, inceneratori i Tiranës derdh në lumin Erzen mbetjen toksike të Liksiviatës duke dëmtuar shumë mjedisin dhe natyrën por edhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve. Pyetja që çdokush bën sot është; si ka mundësi që me gjithë këto arrestime, akuza dhe fakte ende sot shqiptarët paguajnë me paratë e tyre tre instalacionet e korrupsionit në Shqipëri?”, ka thënë ndër të tjera Tabaku.