Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes

Shqipëria, Kosova dhe Kroacia kanë nënshkruar ditën e sotme në Tiranë Deklaratën e Përbashkët të Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiç.

Kjo marrëveshje do të jetë e shtrirë në katër pika: Promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes; Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve; Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike dhe Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

Ky bashkëpunim synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë”, ka theksuar ministri Vengu.