Shqipëria është gati për takimin e parë të nëntorit ndaj Çekisë. Skuadra me në krye trajnerin Sylvinho mbyllën mbrëmjen e sotme përgatitjet në stadiumin “Air Albania”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se grupi u stërvit i plotë. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen ndaj Çekisë.
“Atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë djemtë janë të motivuar për të dhënë maksimumin në stadiumin “Air Albania”, që do të jetë i mbushur në maksimum nga tifozët e Kombëtares për këtë takim”, raporton FSHF-ja.
Seanca stërvitore zgjati rreth një orë dhe ekip në fushë provoi disa situata të ndryshme loje dhe vendosje taktike.
Ndeshja Shqipëri-Çeki e vlefshme për grupit B1 të Ligës së Kombeve, do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania”, duke nisur nga ora 20:45.