Shqipëria, e Ramës apo e shqiptarëve? Nga justifikimi i pushimeve të Melonit, te mashtrimi i dy viteve më parë, si kryeministri i merr i vetëm vendimet

Njoftimi për nënshkrimin e marrëveshjes me Italinë për të sjellë në Shëngjin emigrantët afrikanë ishte i papritur jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për vetë deputetët apo një pjesë të mirë të qeverisë, pasi vendimi për këtë çështje, ashtu si edhe shumë vendime të tjera, është marrë vetëm nga kryeministri Edi Rama.

Marrëveshja parashikon ndërtimin e një qendre pritjeje për refugjatët në Shëngjin, me financimin e qeverisë italiane, teksa strukturat e ngritura do të mund të strehojnë gjithsej deri në 3 mijë emigrantë, duke parashikuar rreth 36 mijë emigrantë në vit për të përfunduar me shpejtësi procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil apo riatdhesimin e mundshëm.

Por problemi nuk qëndron te strehimi i emigrantëve, pasi shqiptarët më shumë se kushdo tjetër e dinë mirë se çdo të thotë të largohesh nga vendi për një jetë më të mirë. Problemi është te mënyra se si është marrë një vendim i tillë, duke mos njoftuar as deputetët e Kuvendit dhe duke mos u diskutuar në Komisionet Parlamentare.

Mediat italiane menjëherë pas marrëveshjes së firmosur zbuluan detaje që tregojnë se si kryeministri Rama e kishte diskutuar këtë çështje i vetëm me homologen italiane Giorgia Meloni. Sipas “Corriere della Sera”, pushimet e Melonit në Shqipëri ishin një justifikim për marrëveshjen mbi emigrantët. Gazeta shkruan se protokolli për qendrat e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër, u mbyll gushtin e kaluar, gjatë takimit që Rama dhe Meloni zhvilluan, i cili u cilësua si një pushim i thjeshtë.

Pra, diskutimi për këtë marrëveshje shumë të rëndësishme nuk është bërë në tryezat zyrtare, por në tavolinat dhe shezlonget e pushimit të kryeministres italiane.

Një tjetër mashtrim i Ramës është edhe deklarata e dy viteve më parë, kur deklaronte se  “Shqipëria nuk do të jetë kurrë një vend ku vende shumë të pasura do të krijojnë kampe për refugjatët e tyre. Asnjëherë”.

Shqipëria po bëhet strehë e emigrantëve të padëshiruar nga Italia vetëm me miratimin e një personi, që e ka barazuar Shqipërinë me veten dhe merr çdo vendim sipas logjikës së tij, që shpeshherë ka dalë të jetë e gabuar.

Për ta shfaqur edhe më shumë egoizmin që e karakterizon, kryeministri nuk denjoi të japë shpjegime përpara shqiptarëve për këtë marrëveshje të papritur, por nxitoi të shfaqet në televizionet italaine, ku dha një intervistë për moderatorin e njohur Bruno Vespa.

INTERVISTA

Mirëmbrëma Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, i cili sapo është kthyer në Tiranë nga Roma ku ka nënshkruar një marrëveshje, në një farë mënyre historike, me Giorgia Melonin, e cila parashikon ndihmën në dy porte shqiptare për emigrantët që janë ndaluar qoftë nga roja bregdetare apo nga marina usharake italiane. Kryeministër si lindi kjo marrëveshje?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për ftesën! Është përherë një kënaqësi dhe nder të jem te ju. Kjo marrëveshje vjen nga mirënjohja e thjeshtë që gjendet gjithmonë brenda meje dhe brenda të gjithëve ne shqiptarëve kundrejt Italisë dhe kur Italia na kërkon të japim një dorë, edhe pse ne nuk mund të zgjidhim problemin e madh të emigrantëve, jemi të nderuar të japim një dorë. Kaq.

-Atëherë, menaxhimi i kampeve do të jetë italian.

Kryeministri Edi Rama: Bëhet fjalë për një qendër pritjeje dhe për një post ku do të procedohet me të gjitha verifikimet, me të gjitha regjistrimet. Çdo gjë është bërë sipas kritereve të mirëpërcaktuara të Bashkimit Europian.

-Gjatë këtyre ditëve edhe të mbijetuar të kampeve të shfarosjes naziste si Edith Bruck, madje dhe në Shqipëri ka pasur persekutime ndaj hebrenjve që gjithmonë kanë qenë të prirur për pritjen e këtyre njerëzve, sikur janë ngurtësuar sepse thonë që ka mundësi që nga vendet myslimane të mbërrijnë terroristë apo persona që janë kundër hebrenjve. Si e mendoni ju këtë?

Kryeministri Edi Rama: Po më bëni një pyetje me një peshë të jashtëzakonshme për një çështje, e cila për fat të keq po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe që është pikërisht çështja se si të jemi Europa e vlerave dhe e të drejtave që janë shumë të shtrenjta për ne dhe në të njëjtën kohë t’ia dalim të shquajmë midis atyre që vërtet largohen nga rreziku i vdekjes dhe atyre që përfitojnë apo që bien pre e trafikantëve e madje edhe rrjeteve që furnizojnë këtë lloj trafiku.

Ka vende europiane, të cilat janë shprehimisht të mbyllura ndaj idesë për të pritur persona të besimeve të tjera fetare, të ngjyrave të tjera, por e kemi parë që kur erdhi fjala për refugjatët ukrainas, ishin shumë të hapur për t’i pritur, sepse për mbi të gjitha, ishin të bardhë dhe ishin të krishterë. Ndërkohë që, ka realitete të tjera në vende europiane si Zvicra dhe jo vetëm që kanë qenë gjithmonë krahë hapur për të pritur të gjithë pa asnjë dallim, por që po kalojnë një moment shumë të vështirë.

Kryeministri Edi Rama: Mbrëmje të këndshme! Faleminderit shumë!

Çfarë deklaronte Rama dy vite më parë: