Shpopullimi në nivele alarmante/ Ambasadori i BE ia thotë në sy Ramës: Shqipërisë po i largohet truri

Ambasadori i Bashkimit Evropoian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të përballen me largimin e njerëzve të kualifikuar.

Në Konferencën Rajonale “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, diplomati evropian vuri theksin tek të drejtat që duhet t’u garantohen fëmijëve si shëndetësi falas apo arsim cilësor.

Ambasadori i Bashkimit Evropian duke iu referuar negociatave tha se të drejtat e fëmijëve janë pjesë e grup kapitullit themelor, ndërsa legjislacioni për arsimi dhe politikën sociale mbulohet nga grup kapitullit 3, që Gonzato tha “që shpresojmë të hapet së shpejti”.

“Kur punojmë për politikat dhe strategjitë një nga pyetjet është nëse po bëjmë sa duhet për të rinjtë, a po u japim mundësinë për të arritur suksesin, kjo është e rëndësishme për rajonin për të cilin ka ende largim të trurit. Objektivi ynë është një Europë e fortë sociale, e cila nuk ka të bëjë vetëm me disiplinën financiare por edhe me pabarazinë, një nga objektivat që duhet të arrihet deri në 2023 është ulja e numrit të personave që janë në rrezik varfërie apo rrezik nga përjashtimi social. Të paktën 5 milionë s’duhet të jenë më në varfëri, ne e shikojmë garancinë për fëmijët një nga programet më kyçe për të përmirësuar.”- u shpreh Gonzato.

Ai u kujtoi qeverisë shqiptare faktin se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk do të thotë të përmirësosh vetëm legjislacionert në letër, por kjo të vihet në zbatim dhe ndryshimi të matet në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Ne duam të kalojmë nga fjalët tek veprat që fëmijët të kenë qasje në shëndetësi falas, qasje në arsim cilësor, të kenë strehim dhe ushqime. Duhet dhënë kontribut për integrimin e tyre në punë, që tranzicionin nga shkolla në punë ta kalojnë mirë. Procesi i anëtarësimit nuk do të thotë vetëm miratim legjislacioni, por kërkon shndërrim të shoqërisë në të gjitha aspektet e saj. Sipas negociatave për anëtarësim, të drejtat e fëmijëve janë pjesë e grup kapitullit themelor, ndërsa legjislacioni për arsimi dhe politikën sociale mbulohet nga grup kapitullit tre që shpresojmë të hapet së shpejti. Vendet kandidate pritet që të krijojnë kuadrin e duhur për të krijuar mjedisin që lejon ecjen përpara të rinisë, duke ofruar studentëve aftësitë që i duhen edhe nga tregu i punës. Të krijohen më shumë mundësi dhe më shumë mundësi të barabarta për punësim me dinjitet. BE është këtu për të shoqëruar vendet kandidate në rrugëtimin e tyre të reformave përfshirë politikën sociale”, tha ai.