“Shpikja” e Ramës dhe Erdogan për të larguar gylenistët, Xhamia e Namazgjasë do të drejtohet nga një fondacion i përbashkët

Xhamia e Namazgjasë nuk do të jetë nën juridiksionin e plotë të Komunitetit Mysliman Shqiptar, por do të drejtohet nga një Bord drejtues i fondacionit të përbashkët mes KMSH-së dhe palës tjetër.

Kjo është “shpikja” që kryeministri Rama dhe Presidenti turk Erdogan kanë gjetur për drejtimin e kësaj Xhamie, me synimin që të mos lejojnë “gylenistët” të marrin kontrollin edhe mbi këtë Xhami të madhe të ndërtuar edhe me fondet e qeverisë turke.

Presidenti Erdogan ka akuzuar shpeshherë se KMSH-ja drejtohet nga anëtarë të organizatës “FETO” dhe i ka bërë thirrje kryeministrit Rama t’i largojë ata, pavarësisht se nga qeveria shqiptare nuk është ndërmarrë end enjë hap konkret për këtë çështje.

Xhamia e namazgjasë duhej të ishte inauguruar disa vite më parë, por përplasjet brenda Komunitetit Mysliman detyruan edhe Presidentin Erdogan ta shtynte inaugurimin e investitmit të qeverisë së tij.

Lexo edhe: Erdogan vjen të enjten në Tiranë për ta përuruar, Turqia emëron Imam turk në krye të Xhamisë së Namazgjasë

Për inaugurimin e kësaj Xhamie ka reaguar edhe vetë Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që ka vendosur të bëjë paqe, duke falënderuar Ramën dhe Erdogan për këtë vepër të madhe për besimtarët myslimanë, teksa njofton se në krye të Bordit drejtues të Xhamisë së Namazgjasë do të jetë myftiu i Tiranës, Gazment Teqja.

Reagimi i KMSH-së:

Të dashur motra dhe vëllezër, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka kënaqësinë t’ju njoftojë për evenimentin e madh që do të mbahet ditën e enjte në Tiranë, siç është inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë.

Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoğan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të Qeverisë Shqiptare, që falë vullnetit të Kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.

Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në cenermoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë gjithashtu edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Ne falenderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoğan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë gjithashtu ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deçiziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falenderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan Xhaminë tonë të Madhe me mendjet e duart e tyre të arta.

Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.

Falenderojmë Zotin që bëri të mundur arritjen e kësaj dite të shënuar!

Inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë do të bëhet ditën e enjte, 10 tetor 2024.