Elisa Spiropali e ka kuptuar më në fund se nuk do të mund të jetë kurrë numri dy në Partinë Socialiste, për sa kohë aty të jenë Edi Rama dhe Belinda Balluku, me këtë të fundit që duket se ia arriti qëllimit që ta largonte përfundimisht nga kreu i qeverisë.
Shkarkimi si ministre e Jashtme vetëm 5 muaj pas marrjes së detyrës ishte shenja më e qartë se rrugët mes Elisa Spiropalit dhe PS-së po ndaheshin, ndërsa debati mes saj dhe Ramës ishte “pika e ujit që derdhi gotën e durimit të saj”.
Sot Elisa Spiropali ka zgjedhur të mos fshihet më, por të denoncojë atë që për vite me radhë zgjodhi ta mbrojë, modelin të cilin ka ngritur Edi Rama brenda Partisë Socialiste, ku siç e thotë edhe vetë ajo në postimin e saj, “ky model ndërton një kulturë ku bindja konsiderohet virtyt dhe përshtatja shpërblehet më shumë se merita”.
Në reagimin e saj të parë pas debatit në mbledhjen e Grupit Parlamentar, ajo thotë disa të vërteta që të gjithë i dinin brenda socialistëve, por askush nuk guxon të flasë, pasi në të kundërt mund të kenë fatin e Arben Ahmetajt apo ndonjë tjetri.
Spiropali e thotë hapur se termi “Europë” që Rama e përdor në çdo dalje e tenton të bindë shqiptarët se jemi në rrugën e duhur drejt anëtarësimit, nuk është asgjë tjetër veçse një narrativë, Europa e vërtetë është një rend vlerash, të cilat kjo mazhoranca vështirë se i ka.
Vlerat europiane nuk mund të jenë në një vend ku korrupsioni mbrohet me votë dhe të korruptuarit e veshur me pushtet sfidojnë drejtësinë.
Elisa Spiropali, ashtu si një pjesë e mirë e socialistëve në Kuvend, duke hequr “dishepujt” e Ballukut, e dinë mirë se mbrojtja që Rama i bëri ish-zëvendëses së tij ishte një vendim i gabuar dhe do të ndikojë negativisht në negociatat e anëtarësimit.
Në postimin e saj, ajo i përgjigjet edhe deklaratës së Ramës se Belinda Balluku ka fituar jo vetëm sepse ka patur pushtet, por sepse ka punuar shumë.
“Fitorja nuk merret, ajo provohet. Meritohet kur njerëzit nuk të ndjekin nga frika, por të besojnë nga bindja, dhe kur largohesh, mbetet respekti, jo vetëm rezultati”, shkruan Spiropali.
Sot, Elisa Spiropali u tradhtua nga ai të cilit i tha “Skënderbe”, që i shërbeu me besnikëri për vite me radhë, e që sot iu kthye në një “Hamza”.
Por, historia nuk ka përfunduar këtu, pasi do të ketë edhe një kapitull të fundit, që me siguri nuk do të jetë shumë i këndshëm për Spiropalin.
Postimi i saj me shumë gjasë nuk do të kalojë pa u vënë re, sidomos kur në veshin e Ramës flet edhe Belinda Balluku. Me gjasë për Spiropalin do të merren masa, që nuk është çudi të jenë nga më ekstremet, deri në përjashtimin e saj, pasi Rama ka treguar se nuk i duron dot ata që e kundërshtojnë.
Në fund, Spiropali mund t’i bashkohet atyre pak zërave kritikë brenda së majtës që kanë zgjedhur të denoncojnë modelin “Rama”. Pyetja mbetet: a është kjo një kthesë e sinqertë, apo thjesht një reagim i vonuar pasi u prishën interesat personale?