Shpërthim me tritol në banesën e Xhelal Mziut, deputeti demokrat: Nuk kam konflikte

Një shpërthim me tritol është regjistruar në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu pak pas mesnatës së të mërkurës.

Siç raporton policia, shpërthimi me lëndë plasëse ka ndodhur rreth orës 00:55 në rrugën “Arjan Sala”, ku ndodhet banesa e deputetit të Partisë Demokratike. Mësohet se tritoli shpërtheu në murin rrethues të banesës së Mziut.

Si pasojë e shpërthimit, ka pasur vetëm dëme materiale.  Ndërkohë nuk dihet ende sasia e lëndës plasëse të përdorur pasi priten ekspertët për ta përcaktuar. 

Deputeti demokrat në dëshminë e dhënë para grupit hetimor ka thënë se nuk ka konflikte me askënd dhe nuk e di se kush mund të fshihet pas kësaj ngjarjeje. Ai ka thënë se në momentin e shpërthimit ndodhej në banesë me bashkëshorten e tij.

Kujtojmë se Xhelal Mziu është zgjedhur sërish deputet i PD, në zgjedhjet e 11 Majit. më herët ai ka qenë kryebashkiak i Kamzës.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Kamëz/Informacion paraprak

Rreth orës 00:55, dyshohet se në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. M., është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.