Një shpërthim i fuqishëm është regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure, në zonën e Brrylit, në Tiranë, në pikën e karburantit ‘Eida’.
Sipas raportimeve, ka shpërthyer një depozitë e pikës së karburantit dhe për pasojë është shembur një godinë një katëshe që ndodhej pranë objektit.
Policia thotë se shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë një bombol gazi e cila ka shpërthyer gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.
Si pasojë kanë mbetur të plagosur 3 persona, punonjës të karburantit, Vlerim Hakballa, 22-vjeç, Rozart Abazi, 30-vjeç dhe Aurel Xhanaj, të cilët, sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet. Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën”,- thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit.