Shoku i Martin Canit kundërshton Policinë dhe ministrin Ervin Hoxha: Në vendin e ngjarjes ishin dy persona me dy thika

Luis Meçe, shoku i Martin Canit që mbeti i vrarë pas një sherri me thikë me bashkëmoshatarin e tij Mario Perlleshi, ka deklaruar sërish se ditën që ndodhi ngjarja e rëndë, kanë qenë dy persona me thika.

14 vjeçari, i cili ndodhet ende ne spitalin e Traumës për shkak të disa plagëve që ka marrë, i qëndron deklaratës së tij të mëparshme, se atë ditë ka qenë një person i dytë, i cili mbante një thikë, sipas një deklarate të dhënë dje për emisionin “Top Story”.

Por deklarata e të miturit, i cilësuar si një dëshmitar kyç për ngjarjen, rrëzon Policinë e Shtetit dhe Ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, të cilët ditën e djeshme kanë reaguar duke fajësuar mediat dhe duke thënë se ka vetëm një autor për vrasjen e Martinit dhe plagosjen e shokut të tij.

Madje hodhën akuza edhe në drejtim të mediave, duke thënë se po dezinformojnë publikun.

“Nga veprimet hetimore të deritanishme të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, veprime te cilat jane të bazuara në prova të pakontestueshme për ngjarjen tragjike dhe autorësinë e saj, rezulton se kemi të bëjmë vetëm me një autor, përshkruar edhe në komunikatat e Policisë së Shtetit dhe e regjistruar në materialin filmik të ngjarjes, të cilin ligji na ndalon ta publikojmë për shkak të sekretit hetimor.

Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit”- thuhej mes rreshtash në njoftimin e datës 28 Nëntor të Policisë së Shtetit.

Nuk vonoi edhe reagimi i Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili po ashtu akuzoi mediat dhe konfirmoi se autor është vetëm Mario Përlleshi.  

Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.

Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit. Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregtimit mediatik të vdekjes“- thuhej mes të tjerash në reagimin e ministrit, Ervin Hoxha.

Kujtojmë se pak ditë më parë, babai i Luisit, në një intervistë për mediat tha se kanë qenë dy persona që kanë qëlluar me thikë ndaj djalit të tij dhe 14 vjeçarit që fatkeqësisht ndërroi jetë.

Edhe Luis Meçe në deklaratën e parë që ka dhënë ka thënë edhe para grupit hetimor se kanë qenë dy persona me thikë ne vendin e ngjarjes.

Më poshtë intervista e dhënë nga 14 vjeçari për “Top Story”:

Gazetari: Si je?

I mituri L.M: Më mirë jam.

Gazetari: Je më mirë, plagët janë duke u mbyllur…

I mituri L.M: Plagët janë duke u mbyllur. Me kalimin e kohës besoj do të bëhem akoma më mirë.

Gazetari: Po në aspektin psikologjik a je i qetë pas asaj që ndodhi?

I mituri L.M: Me atë që kam parë…ndihem pak i trembur por besoj se do të kaloj edhe kjo.

Gazetari: A të ka ndihmuar kujdesi i të gjithëve dhe mjekëve për ta kaluar këtë gjendje

I mituri L.M: Po dua të falënderoj të gjithë shqiptarët për kontributin dhe mbështetjen që më kanë dhënë si dhe mjekët që më kanë shpëtuar jetën.

Gazetari: Ti je personi kryesor që ka ndikuar në zbardhjen e ngjarjes. Ju keni thënë që ka qenë një autor i dytë apo jo, në momentin e ngjarjes? Mund të na e përshkruash se çfarë ndodhi?

I mituri L.M: Nuk besoj se do flas më tepër për këtë sepse deklaratën e kam dhënë aty ku duhet….por se di a më lejohet apo jo.

I mituri L.M: Dua t’i jap një mesazh të gjithëve që nuk është e mirë të ziheni sepse sherri sjell shumë pasoja.

Gazetari: Me Marion keni pasur njohje të mëparshme?

I mituri L.M: Jo.

Gazetari: Ishit në klasa paralele?

I mituri L.M:Jo. Nuk e njihja si person.

Gazetari: Ti ishe thjesht në ndihmë të Martinit?

I mituri L.M: Po isha thjesht në mbrojtje të Martinit.

Gazetari: Keni thënë se kanë qenë dy persona me thika në vendngjarje. I qëndron këtij versioni?

I mituri L.M: Po unë i qëndroj akoma deklaratës që kam dhënë deri në fund.

Gazetari: Pra ti ke parë dy armë…dy thika të ndryshme në vendngjarje dhe dy persona që i kanë mbajtur.

I mituri L.M: Po.

Gazetari: Po mbas mbarimit të sherrit, çfarë ka ndodhur? E mban mend si jeni shpërndarë?

I mituri L.M: Mua më ndihmoi kushëriri, Marsidi. Ka qenë tek 9 Katëshet dhe pastaj s’mbaj mend gjë se kam qenë në gjendje të fikti.