Kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi se paga minimale e Greqisë do të rritet në 880 euro duke filluar nga 1 prilli 2025.
Kjo shënon një rritje prej 6.02% nga paga minimale e mëparshme prej 830 euro, duke prekur rreth 575,000 punëtorë të sektorit privat dhe 600,000 punonjës publikë. Kjo është rritja e pestë e pagave që nga viti 2019, duke e çuar rritjen kumulative gjatë gjashtë viteve në 35.4%.
Mitsotakis deklaroi se synimi parësor i qeverisë është të forcojë fuqinë blerëse të punonjësve, duke theksuar se rritja do të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien financiare të punëtorëve “Natyrisht që nuk i lehtëson të gjitha nevojat aq sa do të donim ne”, tha kryeministri. “Megjithatë, ai thekson hapat e qëndrueshëm për të përmirësuar të ardhurat e disponueshme.”
Në njoftimin e tij për rritjen e pagave, Mitsotakis theksoi gjithashtu se “Rritja e re e pagës minimale nuk na kënaq, nuk jemi aty ku duam të jemi, por vërteton se pavarësisht vështirësive po marrim rezultate me këtë politikë”.
Një ligj i miratuar në dhjetor ratifikoi praktikën e përcaktimit të pagës minimale nga qeveria, në vend të negociatave midis sindikatave dhe punëdhënësve, dhe prezantoi një algoritëm specifik për llogaritjen e pagës minimale.
Paga e re do të ndikojë edhe tek punonjësit publikë për herë të parë, me një rritje përkatëse prej 30 euro për nëpunësit civilë. Qeveria planifikon të vazhdojë rritjen e pagës minimale, duke synuar 950 euro deri në vitin 2027.
Por teksa Greqia e ka çuar pagën minimale në 880 euro, dhe ajo është rritur 5 herë brenda 5 viteve, në Shqipëri paga minimale vijon të jetë 400 euro.
Ajo çfarë ne dëgjojmë çdo ditë nga kryeministri është propaganda ndërsa vetëm sot ai tha se në 2026 paga minimale në Shqipëri do shkojë 500 euro, gjithmonë nëse ai do të marrë mandatin e katërt.