Shkollat private kundër vendosjes së TVSH-së në arsim: Do detyrohemi të ulim rrogat dhe të rritim tarifat

Shoqata e Shkollave Jopublike në Shqipëri ka dalë kundër vendosjes së TVSH-së në arsim. Në një letër publike, shoqata thotë se kjo masë e marrë nga qeveria do të sjellë “efekte jashtëzakonisht të rënda për arsimin dhe shoqërinë shqiptare si dhe me përfitime të papërfillshme për financat publike”.

Sipas kësaj shoqate, vendosja e TVSH-së do t’i detyrojë institucionet private të arsimit që të ulin rrogat e mësuesve dhe të rritin tarifat, çfarë do të sjellë edhe largimin e shumë nxënësve drejt shkollave publike, duke bërë që këto shkolla të mbingarkohen.

“Aplikimi i TVSH-së dhe rrjedhimisht ulja e rrogave dhe mbyllja e një pjese të shkollave private do të sjellë drama të pashmangshme sociale e njerëzore për mijëra të punësuar në to. Të gjithë këta njerëz do të shtojnë listat e të pakënaqurve që do të presin zgjidhje dhe para nga shteti.

Përllogaritjet mbi të ardhurat shtesë që supozohet se do të përfitojë shteti nga aplikimi i TVSH-së nuk marrin parasysh faktin se një pjesë e prindërve nuk do të mund të paguajnë dot tarifat që do të rriten prej TVSH-së dhe do të largojnë fëmijët drejt shkollave publike. Rrjedhimisht edhe këto të ardhura do të jenë më të ulëta sesa shpreson qeveria. Të gjithë nxënësit që do të largohen nga shkollat private për t’u ngjeshur në publik do të përbëjnë gjithashtu një barrë financiare shtesë për qeverinë. Në qytetet e mëdha si Tirana kjo do të bëjë të pashmangshme investime të mëdha publike për ndërtim shkollash të reja publik. Në fund të ditës bilanci përfitime/humbje nga aplikimi i TVSH-së do të jetë zhgënjyes edhe për vetë qeverinë”, thuhet ndër të tjera në letër.

Argumentet e Shoqatës së Shkollave Jopublike në Shqipëri kundër TVSH-së në arsim:

  1. Aplikimi i TVSH-së rrënon arsimin privat
  2. Aplikimi i TVSH-së godet arsimin shqiptar në tërësi
  3. Aplikimi i TVSH-së godet ata që punojnë në arsimin privat
  4. Aplikimi i TVSH-së nuk do të sjellë të ardhurat e pritshme për shtetin
  5. Aplikimi i TVSH-së sjell probleme të rënda sociale

LEXO KËTU LETRËN E PLOTË