Shkodër, një person i paidentifikuar futet me skafandër brenda një argjendarie dhe kërcënon me armë pronarin

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës. Një person me skafandër në kokë është futur në ambientet e një argjendarie dhe pasi pronari i ka kërkuar ta heqë atë, por ka refuzuar dhe është larguar me shpejtësi.  

Sipas policisë, personi i paidetifikuar ka dalë në ambientet e jashtme të argjendarisë, ka kërcënuar me armë zjarri pronarin që të mos ta ndiqte për ta kapur.

Personi gjatë largimit me shpejtësi, ka lënë para dyqanit edhe motorin me të cilin kishte mbërritur. Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e lokalizimin e tij.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 11:30, në lagjen “Vasil Shanto”, një shtetas ende i paidentifikuar, që qarkullonte me motomjet, ka qëndruar para një argjendarie dhe me skafandër në kokë është futur në argjendari.

Pronari i argjendarisë i ka kërkuar që të heqë skafandrën, por ai ka refuzuar dhe është larguar me vrap, duke lënë edhe motomjetin para argjendarisë.

Dyshohet se jashtë ambienteve të saj, ky shtetas i ka drejtuar një armë zjarri pronarit të argjendarisë që të mos ta ndiqte për ta kapur.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin ligjor të rastit.