Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha sot vendimet për 4 ish-zyrtarë lokalë në Kurbin, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera publikë dhe falsifikim dokumentesh.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Etleva Deda dhe Irena Gjoka vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Jeton S. Cakoni, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij, me 1 vit burgim.
GJKKO vendosi uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Jeton Cakoni, me 8 muaj burgim që u konvertua me një periudhë prove prej 16 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale.
Jeton S. Cakonit i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Vlash D. Gega, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij, me 1 vit burgim. Pas aplikimit të uljes së dënimit, ky i fundit u konvertua në periudhë prove prej 16 muajsh.
Të pandehurit Vlash D. Gega, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Gjykata vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurës Irisi F. Tahiraj, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, pasi nuk provohet që ta ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Gjykata vendosi deklarimin fajtore të të pandehurës Donika L. Senka, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë dhe dënimin e saj me 1 vit burgim. Në aplikim të nenit 406 vendosi uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Donika Senka, me 8 muaj burgim.
GJKKO urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurën Donika L. Senka për një periudhë prove prej 16 muajsh.
Dokumentet e sekuestruar, të nënshkruar nga e pandehura Donika Senka, janë të falsifikuara, për rrjedhojë urdhërohet Autoriteti Kontraktor, Bashkia Kurbin, e cila administron këto dokumente që të bëjë shënimin në këto dokumente si “Të deklaruar si të falsifikuar me vendim gjykate”.