Shkarkoi të besuarit e Veliajt nga Bashkia, Ristani: Nuk ka krizë, mirënjohje për Ramën

Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani ka dalë sot ne një konferencë për mediat pas vendimit për të shkarkuar dy të besuarit e Erion Veliajt, nënkryetaren Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi.

Ristani tha se nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës ndërsa nuk harroi të falënderonte edhe kryeministrin Edi Rama.

Por Ristani nuk shpjegoi se për çfarë motivi u shkarkuan Goxhaj dhe Dokushi, që mbanin detyra të rëndësishme në Bashki. Shumë shkurt tha se shkarkimi është bazuar ne ligj dhe rregullore.

“Nuk ka krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin vizion që e ka udhëhequr Veliaj. Unë kam qenë 10 vite përkrah Veliajt, kam punuar kaq shumë kohë për t’i shërbyer qytetit. Nuk ka asnjë media, që të shuajë respektin për Veliajn dhe për respektin ndaj tij, duhet të punojmë e të punojmë. Në fund historia do kujtojë veprat dhe jo thashethemet. Dua të shpreh mirënjohje edhe për kryeministrin Edi Rama, që në këto ditë të vështira na është gjendur pranë. Të gjitha kanalet tona janë të hapura”- u shprej ajo.

Këto dy shkarkime vijnë pas përplasjeve që ndodhën në Bashki ku Veliaj ia delegoi detyrën e tij Sara Goxhajt, duke shkarkuar Ristanin, e cila ishte zgjedhur për të drejtuar Bashkinë fill pas arrestimit të kryebashkiakut me urdhër të SPAK.

Ky vendim i Veliaj “tërboi” kryeministrin Edi Rama, i cili shkoi në Bashki dhe kërkoi që Anuela Ristani të rikthehej në postin që ai vetë e kishte vendosur, si kryetare e komanduar e Bashkisë.

Në burg që prej datës 10 shkurt, Veliaj më pas u tërhoq nga kjo përplasje me Ramës dhe ia delegoi detyrën sërish Ristanit.