Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar nga detyra dhe është kallëzuar në Prokurori pas një kontrolli të zhvilluar në filial, ku u konstatuan parregullsi në administrimin e fondeve.
Njoftimi për kontrollin në filialin e Durrësit është dhënë nga vetë Posta Shqiptare, e cila ka deklaruar se janë konstatuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave dhe se, pas kësaj, ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe e ka referuar rastin në prokurori, duke depozituar kallëzim penal.
Burime pwr mediat bwjnw me dije se dyshohet për një abuzim financiar me vlerë rreth 700 mijë euro.
“Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.
Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.
Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.
Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.”