Shkarkimi nga Rama dhe emri në dosjen e SPAK, Gjiknuri distancohet: Inceneratorët janë vepër e mirë, por unë kisha rol periferik

Damian Gjiknuri ka dalë sot në një konferencë për mediat teksa i ka dorëzuar detyrën e Sekretarit të ri të Përgjithshëm, Blendi Klosit.

Ish ministri i cili tani nuk mban asnjë post përveç atij të deputetit të thjeshtë u shpreh se nuk ndihet i keqardhur që Rama e hoqi nga pozicioni i sekretarit pasi sipas tij, posti nuk të jep forcë, por tregon dobësitë e njeriut.

Në një deklaratë për mediat ai tha se në dy vite që ai ka mbajtur këtë post ka pasur punë intensive dhe organizim të Partisë Socialiste.

Lidhur me akuzat ndaj tij pasi emri i doli në dosjen e SPAK për inceneratorët, Gjiknuri është shprehur se roli i ministrisë së Energjisë në këtë çështje ka qenë periferik,por ka pranuar se njeh një nga dy biznesmenët e inceneratorëve që prej vitit 2001.

“Jam kontrolluar tre herë nga Inspektoriati Publik, nuk shqetësohem. Nuk kam asnjë lloj përfitimi. Ka pasur 2 episode që nuk kanë lidhje fare, se janë bërë 1 vit përpara se të niste kjo procedurë. Ne kemi qenë dhe bashkë, dhe kemi ngrënë darka, e kemi qenë dhe në hotël, por njohja, takimi me dikë nuk të bën fajtor. Ministrat janë përgjegjës kur vendimmarrjet e tyre sjellin përfitime individuale apo interesa në kurriz të popullit. Unë shqetësohem për veprimet që bëj vetë. Moszbatimi i ligjit do ishte krim. Nuk kanë lidhje njëra me tjetrën. Unë nuk kam propozuar që të bëhet impianti i djegies, nuk e gjykoj që ishte gabim. Drejtësia do e nxjerrë, po deri më tani nuk ka dalë që unë kam përfituar. Këta ishin 2 njerëz që bënin bizneset e tyre, njërin e njoh që në vitin 2001 kur punova në ministrinë e mbrojtjes me të, por mos gjykoni veprimet e 10-15 vjet më parë. Nuk është terrorist ndërkombëtar. Vendimarrjet janë vepra për t’u gjykuar. ” tha Gjiknuri.

Ndërsa lidhur me shkarkimin nga Rama ai u shpreh se nuk ndihet I tradhtuar. Pasi gjithmonë është sulmuar për shkak të pozicionit dhe është mësuar të lëvizë në pozicione të ndryshme

“Befasia për disa dhe interesi që shkakton në rrjetet sociale nuk duhet të përbëjë boshtin nga duhet të orientohet koshienca ime. Pas çdo procesi zgjedhor ne i ushtrohemi një procesi analize.

Nuk e quaj në ato terma që ju thoni. Për mua fundi i diçkaje është fillimi i një gjëje të re. Unë jam akuzuar gjithmonë pasi kam mbajtur pozicione kyçe. Nuk është hera e parë që akuzohemi për akuza të karakterit politik. Ka vetëm një drejtësi që i gjykon, dhe jo opinioni publik krijuar nga vatra të ndryshme politike.

Personalisht nuk ndjej asnjë lloj braktisje, jam në komunikim të vazhdueshëm me kreun e partisë, është marrëdhënie e qëndrueshme pune. Sa më pozicione të larta te kesh, aq më tepër edhe do sulmohet”