Prej 24 orësh në media po flitet në lidhje me shkrirjen e Komisariatit Nr.2 në Tiranë pas arrestimit të ish-efektivit Altin Morina, i cili u prangos pasi ishte shpallur në kërkim pas operacionit “Revanshi”. Arrestimi i Morinës nga efektivët e Komisariatit Numër 2 në Tiranë duket se ka trazuar ujërat në Polici.
Raportohet se shefi i krimeve në këtë komisariat është transferuar. Po ashtu shefi i komisariatit ka kërkuar dorëheqjen ndërsa ka pasur edhe shkarkime në radhët e oficerëve të policisë.
Lidhur me këto lëvizje në polici ka reaguar edhe gazetarja Klodiana Lala. Kjo e fundit, kërkon nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda që të bëj transparencë, ndryshe është pjesë e gjithë trazirave dhe lëvizjeve në komisariat.
“Arrestimi i Altin Morines, ish-oficer i RENEA-s eshte shoqeruar me trazira ne polici. Shefi i krimeve te komisariatit nr.2 ne Tirane eshte trasferuar. Shefi i komisariatit ka kerkuar formalisht doreheqjen. AMP ka nisur hetimet. Ilir Proda ke detyrim trasparencen, ndryshe je pjese!”- shkruan Lala në postimin e saj.
Ndërkohë një ditë më parë, kreu i PD, Sali Berisha tha se drejtorit të Policisë i arrestuan një bashkëpunëtor trafikant dhe se ai kishte bërë reprezalje tek oficerët e policisë që e arrestuan për lirimin e tij.
“E vërteta është se sot në krye të Policisë së Shtetit është një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Ky drejtor Matriksi, edhe dje arrestuan një bashkëpunëtor të tij trafikant dhe u bë reprezalje tek oficerët e policisë që e arrestuan atë për lirimin e tij. Rendi dhe siguria në Shqipëri janë absolutisht në duart e krimit“- tha Berisha.
Ish-efektivi Altin Morina akuzohet se ka bashkëpunuar me Durim Bamin për të organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës në vitet 2019-2020.
Morina ka qenë arrestuar edhe më herët, në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro.
Më pasi ai u la i lirë nga gjykata pasi në atë kohë deklaroi se shumën e parave ia kishte marrë hua një mikut të tij biznesmen.