Shifrat që rrëzojnë propagandën e qeverisë, rreth 150 mijë shqiptarë braktisën vendin në 2 vite

Shqipëria çdo ditë që kalon po boshatiset ndërsa me një vëzhgim të thjeshtë në shumë biznese të kap syri njoftime: “Kërkojmë punëtorë, me pagë të kënaqshme”.

Kjo për faktin se vendit tonë i ka ikur fuqia punëtore jashtë për një jetë, kushte, dhe pagë më të mirë se këtu.

Emigracioni ka qenë gjithmonë një plagë për shoqërinë shqiptare, që dukej se në një moment mund të ndalej, por përgjatë viteve të fundit ka ndodhur e kundërta.

Popullsia në vend ka vijuar të tkurret dhe sipas të dhënave nga Censi më i fundit, popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2025 rezulton 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1,2 %, krahasuar me 1 Janar 2024. Dy faktorët kryesorë janë emigracioni dhe rënia e lindjeve.

Megjithatë pavarësisht dramës së shpopullimit, shpesh herë kemi dëgjuar kryeministrin e vendit, i cili përmes rrjeteve sociale bën propagandë, edhe pse shifrat ia rrëzojnë atë.

Madje në një komunikim live në Facebook pak kohë më parë, teksa një qytetar e kritikonte lidhur me largimin masiv, kreu i qeverisë e justifikonte me faktin se emigrimi nuk e ka zanafillën në qeverisjen e tij dhe se ky është një fenomen global, i pranishëm kudo dhe në vendet e Mesdheut.

Por le të ndalemi te shifrat, të cilat nuk i zbeh dot propaganda e qeverisë:

Eurostat bën me dije se në vitet 2022 dhe 2023 kanë marrë rezidencë për herë të parë në BE 149 mijë qytetarë nga Shqipëria. Një shifër kjo shumë e lartë që tregon edhe njëherë largimin e fuqisë punëtore, por edhe të rinisë shqiptare. Por në këto shifra nuk përfshihen ata të cilët janë larguar dhe qëndrojnë ilegalisht, apo që kanë marrë rezidencë në vende si SHBA, Kanada dhe Britania e Madhe.

Ndërkohë sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.940, duke pësuar rritje me 2,2 %, krahasuar me vitin 2023.

Të huajt nga Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri, më pas vijnë ata nga India dhe Filipinet.

Një numër ky shumë herë më i ulët se ai i largimeve nga vendi, duke vënë në pah se askush nuk mund të zëvendësojë apo kompesojë hemorragjinë e shqiptarëve që po ikin për një jetesë më të mirë.

Shumë anketa tregojnë se ky emigrim masiv nuk do të ndalet. Aktualisht vendi ynë mbetet me rënien më të fortë të popullsisë në Europë në dekadën e fundit.

Shqipëria është vendosur në fund të listës për cilësinë e jetesës në Europë, sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025.

Me një vlerësim total prej 104.1 pikësh në indeksin e cilësisë së jetës, Shqipëria zë vendin e 37-të ndër 37 shtete europiane të analizuara.

Ky renditje e bën Shqipërinë vendin me cilësinë më të ulët të jetës në kontinent për këtë vit, sidomos për fuqinë blerëse, çmimet e larta të apartamenteve në raport me të ardhurat dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor, ku jemi të fundit në Europë.

Këto janë shifra të frikshme për një vend që po sheh se si po boshatiset ndërsa nuk kanë asnjë shpresë apo motiv për të qëndruar dhe punuar në Shqipëri.

Ndërkohë paradoksalisht në Shqipëri ka pasur një bum ndërtimesh, por shumë prej tyre kanë mbetur të pashitura, për faktin se çmimet e apartamenteve kryesisht në Tiranë, janë kthyer në një “mollë të ndaluar”.

Por duke qëndruar te kjo fushë, kohët e fundit kemi parë një tjetër propagandë, atë që të huajt po vërshojnë drejt vendit tonë për të investuar në prona të paluajtshme, si në kryeqytet, ashtu edhe në vendet bregdetare.

Dhe për këtë propagandë, qeverisë i ka shërbyer edhe mediat që janë pranë saj.

Shqiptarët po ikin pa e kthyer kokën pas dhe ky është fakt. Akoma më e dhimbshëm është largimi i të rinjve, që lidhet me mungesën e politikave qeveritare në vijimësi, ndaj kësaj gjenerate. Të rinjve u mungon siguria në tregun të punës dhe shpresa për të ardhmen. Lind pyetja: Edhe sa shqiptarë do të ikin akoma?