Shfrytëzuan 10 vjeçarin në TikTok për klikime, dënohen babai dhe gjyshja i të miturit! Të atit i hiqet edhe e drejta e prindërimit

Gjykata e Beratit ka dënuar nënë e bir pasi shfrytëzonin të miturin për klikime në TikTok.  Armand Kumaraku, babai i të miturit është dënuar me 3 vite e 6 muaj burg ndërsa i është hequr e drejta e prindërimit mbi djalin e tij.

Për gjyshen e të miturit Natasha Rombula, gjykata ka dhënë dënimin me 2 vjet e 3 muaj burg. Gjyshja dhe babai i 10 vjeçarit, akuzohen se kanë keqtrajtuar të miturin, kanë komunikuar me fjalë banale me të dhe e kanë detyruar dhe të, të flasë në të njëjtën mënyrë në rrjetet sociale ‘Youtube’ dhe ‘TikTok’.

Prokuroria nënvizon se gjyshja dhe babai kanë kryer veprime të cilat konsistojnë në keqtrajtim fizik dhe psikologjik të të miturit dhe detyruar këtë të fundit për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij mendor dhe fizik që ka sjellë si pasojë simptoma të çrregullimit të personalitetit anti social te i mituri, duke qënë se të gjithë modelet që ai ka pasur kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në jetën e tij dhe në zhvillimin e tij si individ.