Shëtisnin turistët me varka të ndërtuara vetë, ndëshkohen drejtuesit e tyre në liqenin e Komanit

Drejtuesit e disa varkave në liqenin e Komanit janë ndëshkuar ditën e sotme, pasi ka nisur një aksion për sigurinë e vizitorëve vendas dhe të huaj. Policia kishte marrë ankesa nga turistët se në këtë liqen kishte mjete lundruese të pasigurta, si varka të ndërtuara vetë në mënyrë artizanale.

Kështu policia zhvilloi sot operacionin me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së turistëve dhe vizitorëve që frekuentojnë liqenin e Komanit.

Sipas njoftimit zyrtar, u bllokuan 5 varka artizanale dhe u ndëshkuan me gjobë 10 000 lekë të reja, secili prej drejtuesve të këtyre varkave. Gjithashtu në një nga tragetet që shërbente për turistët në këtë liqen, u gjetën punonjës të paregjistruar si dhe u zbulua se mjeti ishte i paregjistruar në organet tatimore, prandaj trageti u bllokua dhe pronari me incialet Gj.G u procedua penalisht.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Gj. G., 53 vjeç, banues në Shtoj i Ri, Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm””, thuhet në njoftim.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për të gjithë operatorët turistikë, poseduesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese, turistike dhe argëtuese, që të pajisjen me dokumentacionin e plotë tatimor për ushtrimin e kësaj veprimtarie tregtare, si dhe që të pajisen me dëshminë e aftësisë (leje guidimi), me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së jetës së pushuesve dhe vizitorëve.