Tre persona janë arrestuar nga policia e Sarandës pas konfliktit të ndodhur të shtunën në Ksamil, ku pronari i një hoteli në zonë, Albert Pashaj, u dhunua barbarisht.
Policia thekson se të arrestuarit janë Agim Taraj, Silvjan Sulku dhe Aldo Zeqiraj, ndërkohë që është proceduar në gjendje të lirë një 17-vjeçar.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, 46-vjeçarin , banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
“Në vijim të zbardhjes së plotë të rrethanave të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme, në Ksamil, dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit: A. T., 43 vjeç, banues në Berat, S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, U procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë. Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin A. P., 46 vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore”, njofton policia.
Ndërkohë, është proceduar edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar pasi akuzohet se ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in njërit prej personave që dhunuan bashkëshortin e saj.
“Lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40 vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar A. T.”, thekson Policia.