Sherret që nisin në rrjete sociale dhe përfundojnë në tragjedi, detaje nga vrasja e 14 vjeçarit në Tiranë, autori po kurohet në një spital privat

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja që u regjistrua pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë ku një 14 vjeçar u plagos me thikë në zemër dhe për pasojë ndërroi jetë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Mësohet se sherri mes nxënësve të “Fan Nolit” dhe të një shkolle në Sauk nisi në rrjete sociale, ndërsa ende nuk dihen arsyet.

Po ashtu i plagosur ka mbetur edhe një tjetër 14 vjeçar, i cili është shtruar në një spital privat. Ai dyshohet se është edhe autor i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij.

Në vend janë regjistruar disa ngjarje të rënda e pikënisjen e kanë në rrjete sociale. Kujtojmë këtu vrasjen e 15 vjeçarit Fatjon Bici në Gramsh, dhe plagosjen e kushëririt të tij, ngjarje e ndodhur një vit më parë.

Sherri mes adoleshentëve kishte nisur në rrjetet sociale dhe përfundoi në tragjedi. Në mars të 2024-ës do të ndodhte një tjetër konflikt mes disa adoleshentëve në Fier, ku humbi jetën Grei Bihuci pas një përplasje me thikë me Florian Mukën.

Shkak për sherrin ishte një thikë që autori Muka ua kishte dhënë shokëve të viktimës dy muaj më parë. Dy të rinjtë dhe miqtë e tyre e vijuan konfliktin edhe në rrjete sociale, por më pas u takuan edhe fizikisht, ku nga përleshja mbeti i plagosur Grei Bihuci së bashku me 20-vjeçarin Olti Serjanaj, i cili ndërhyri për ta shpëtuar. Bihuci nuk mundi t’iu mbijetonte dot plagëve të rënda duke humbur jetën në spitalin e Fierit.

Po në mars të këtij viti nje sherr i madh do të ndodhte mes disa adoleshentëve në Berat. Dy vëllezër dhe shoku i tyre dhunuan kamarierin e një picerie, pas një sherri që kishte nisur në rrjete sociale.