Sherr për një ndeshje kalçeto, detajet nga vrasja e 26 vjeçarit në Kamëz! Policia dhe RENEA në kërkim të autorit të armatosur

Detaje të reja janë regjistruar nga vrasja në Kamëz, ku viktimë mbeti 26 vjeçari Ardian Baloshi.

Ky i fundit u transportua me urgjencë në spitalin e Traumës, por humbi jetën për shkak të plagëve që mori.

Burime për mediat bëjnë me dije se Baloshi dhe autori, Sadik Llanaj janë konfliktuar gjatë një ndeshjeje kalçeto. Më pas sherri ka degraduar deri në përdorimin e armës, ku Llanaj ka qëlluar Baloshin duke i marrë jetën.

Pas krimit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendngjarje ndodhet policia si dhe forcat RENEA për shkak se autori është i armatosur dhe po punohet për kapjen e tij.

“Rreth orës 11:30 në spitalin e Traumës është paraqitur pa shenja jete 27 vjeçari Ardian Baloshi. Ka pasur plagë të shkaktuar me armë zjarri. Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e autorit të dyshuar, janë aktivizuar edhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë, të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet, ndërsa viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital. E kanë çuar kalimtarë të rastit”, deklaroi drejtori i komandruar i Policisë Tiranë, Oliger Torba.