Shërbimi zjarrfikës në vend “për faqe të zezë”, ministri Balla e pranon por kërkon që bashkitë të parandalojnë rastet dhe të marrin masa

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka pranuar sot se sistemi zjarrfikës në Shqipëri ka mangësi të mëdha por ka kërkuar ndryshime tërësore nga bashkitë.

Mjafton të kujtojmë se si pyjet e Pishporos u dogjën për 9 ditë me radhë, ndërsa zjarrfikësit nuk kishin as një helikopter për të hedhur ujë nga ajri.

Ndërsa ardhja e verës dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e zjarreve, Balla ka shprehur nevojën për transformim të këtij shërbimi në të gjitha bashkitë e vendit për të parandaluar ngjarje me pasoja në të ardhmen dhe për të ruajtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

Ai tha se situata aktuale nuk është e pranueshme dhe kërkon veprime urgjente për të rritur standardet dhe efikasitetin e zjarrfikëses në vend. Veprimet urgjente ministri i lidh me masat administrative ndaj atyre që vendosin zjarrin, por nuk ka asnjë plan për shtimin e mjeteve apo të sigurisë së zjarrfikësve.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në të gjitha bashkitë duhet të transformohet dhe qaset drejt standardeve të vendeve anëtare të BE. Në vitin 2023 janë kryer 3,498 inspektime dhe diferenca me masat administrative është shumë e madhe, janë vendosur vetëm 42 masa. Nuk e besoj dot se ka kaq pak shkelje. Shoh dy mundësi, ose inspektimet janë selektive tek subjektet që nuk kanë probleme, ose janë kryer pa analizuar problemet reale”, nënvizoi ministri.

Më tej, Balla kërkoi reformim total të Shërbimit Zjarrfikës, në nivelin inspektues në shkallë vendi.

“Shërbimi zjarrfikës ka nevojë për uniformizim dhe përmirësim më të prekshëm si në Drejtorinë e Përgjithshme, e gjithashtu në nivel vendor. Sezoni turistik ka filluar dhe vera po afrohet si stinë, e kanë filluar problematikat e zjarreve. Jemi të gjithë të mirëkuptuar se gjithçka thashë është një epikrizë jo e plotë e situatës. E di fare mirë që në një pjesë të bashkive nuk kemi flotën e duhur të mjeteve zjarrfikëseve, nuk janë punonjësit e duhur në disa njësi vendore të trajnuar në këtë shërbim, por drejtuesit vendorë duhet të kuptojnë se të punosh në këtë shërbim nuk është qokë, sepse rrezikon edhe vetë jetën e atij personi që është emëruar në atë detyrë që nuk ka njohuri”, deklaroi Balla.