Data e sotme është datë simbolike për kombin shqiptar. Më 22 nëntor shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, i cili u njësua në Kongresin e Manastirit.
Kongresi i Manastirit ishte një kongres kombëtar, i cili u mbajt në Manastir më 14 nëntor deri më 22 nëntor të vitit 1908. Kongresi i Manastirit vlerësohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike e kulturore të shqiptarëve në fillim të shek. XX.
Ky kongres u mbajt për të shqyrtuar disa çështje të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, ku në radhë të parë u paraqit me rëndësi shqyrtimi i çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe.Në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata.
Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i përshtatur ato për gjuhën shqipe. Në Manastir morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet. Kryetar i kongresit u zgjodh Mid’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e vetme në këtë kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është festë kombëtare. Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Aty gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.