Pas ndërhyrjes së IKMT-së për shembjen e godinës pa leje të një objekti 5-katësh në Himarë dhe arrestimit në flagrancë të personit që e posedonte atë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vijuar hetimet për të përcaktuar nëse punonjës të strukturave policore kanë shpërdoruar detyrën.
Sipas AMP-së, në hetim është përfshirë zinxhiri komandues i Komisariatit të Policisë Himarë. Katër punonjës policie po procedohen penalisht për veprën “Shpërdorimi i detyrës”.
Mes personave të proceduar janë Emiljano Prenga, aktualisht Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Divjakë, i cili më herët ka mbajtur të njëjtën detyrë në Himarë, dhe Klodian Petani, Specialist i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, ish-specialist në Himarë, të cilët janë ndaluar nga uniformat blu.
Në të njëjtin procedim janë përfshirë edhe Ferit Merkaj, aktualisht Shef i Seksionit të Trafiqeve në DVP Vlorë dhe ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë, si dhe Redin Çaushaj, me detyrë SPZ në Komisariatin e Policisë Himarë.
Fillimisht, Merkaj dhe Çaushaj ishin shpallur në kërkim. Sipas AMP-së, në vijim të veprimeve procedurale, dy punonjësit u paraqitën dhe u ndaluan me iniciativën e tyre.
Ndërkohë, për dy punonjës të tjerë, të cilët nuk janë gjetur në banesat e tyre dhe nuk janë paraqitur pranë strukturave përkatëse edhe pas njoftimeve, janë ndjekur procedurat për shpalljen e tyre në kërkim.