Shekulli i Henri Kisinger, cilat ishin sekretet e tij

Nga Niall Ferguson “Wall Street Journal”

Asnjë Sekretar Shteti i SHBA-së, nuk arriti kurrë të bëhej një personazh publik kaq i famshëm sa Henri Kisinger. Një kopertinë e revistës “Newsweek” në vitin 1974, e përshkruan atë si “Super K”, një hero i librave me ilustrime për fëmijë. Revista tjetër “Time”, e etiketoi atë si “njeriun e domosdoshëm për botën”.

Ndërkohë qendra sondazheve Gallup, e renditi atë si njeriun më të admiruar të Amerikës. Por nga ana tjetër, asnjë ish-Sekretar Shtetit nuk është kritikuar më ashpër se sa ai. Nga shumë libra anti-Kisinger, më me ndikim ishte ai me titull “Gjyqi ndaj Henri Kisinger” i Kristofer Hiçens (2001), që akuzoi hapur Kisingerin për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Indokinë, Kili, Argjentinë, Qipro, Timorin Lindor, dhe disa vende të tjera”.

Edhe pse libri përmendi vetëm një skenë të supozuar krimi, Bangladeshin, ndërsa përmendi vetëm 3 herë Bashkimin Sovjetik. Këto akuza e përbaltën disi imazhin e tij- dekadat e fundit të jetës Kisinger u përball rregullisht me protesta në daljet e tij publike – megjithatë ato janë në kundërshtim me faktet historike.

Kisinger u shërbeu presidentëve Riçard Nikson dhe Xherald Ford, si këshilltar dhe sekretar i shtetit për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Ai i mbajti që të dyja pozicionet midis shtatorit 1973 dhe nëntorit 1975. Ishte shtetasi i parë i natyralizuar si amerikan që ka mbajtur këto poste kaq të larta.

Arritjet e tij përfshijnë negocimin e Traktatit të parë të Kufizimit të Armëve Strategjike dhe Traktatit të Raketave Anti-Balistike me Bashkimin Sovjetik, hapjen e SHBA-së ndaj Kinës komuniste, armëpushimin në Luftën e Yom Kippur, dhe dhënien fund të përfshirjes së SHBA-së në Luftën e Vietnamit, për të cilin ai dhe homologu i Vietnamit të Veriut, Le Duk To, u nderuan me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1973.

Këto nuk ishin arritje të vogla për një njeri që mbërriti në SHBA në vitin 1938 si refugjat nga Gjermania naziste, studionte natën dhe shiste gjatë ditës furça rroje, dhe që shërbeu në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, fillimisht në këmbësori, pastaj në kundërzbulim.

Ashtu si shumë refugjatë hebrenj, Kisinger mund të kishte qenë i kënaqur me një karrierë akademike. Ai pati sukses në Harvard, kur shkroi si tezën e doktoraturës esenë e shkëlqyer “Kuptimi i historisë”, mbi balancën e pushtetit në Evropë pas rrëzimit të Napoleonit.

Megjithatë Kisinger synonte të kishte një ndikim më të gjerë. Libri i tij i vitit 1957 “Armët bërthamore dhe politika e jashtme”, shënoi fillimin e karrierës si një intelektual publik. Me argumentin e tij të kundërt për “luftën e kufizuar bërthamore”, libri u botua në kohën e duhur, për shkak të krizës së besimit që shkaktoi në SHBA për pak kohë, lëshimi në orbitë i satelitit “Sputnik” nga Bashkimi Sovjetik.

Kisinger nisi të ketë një ndikim serioz në politikë në vitet 1960, kur u bë këshilltari kryesor për politikën e jashtme të guvernatorit të Nju Jorkut Nelson Rokfeler. Kur ky i fundit humbi në garën për nominimin presidencial republikan në vitin 1968, Kisinger dukej i destinuar t’i rikthehej botës akademike.

Por Riçard Nikson – rivali kryesor i Rokfeler – e emëroi Kisingerin si këshilltar të tij për sigurinë kombëtare. “Po Kisinger është një profesor. Ne u kërkojmë atyre të studiojnë mbi çështje të ndryshme, por ata s’mund të vendosen asnjëherë në krye të punëve”- e kundërshtoi Duajt Ajzenhauer.

Ishte një nga gjykimet e pakta të gabuara të tij, sepse Kisinger e tregoi shumë shpejt veten si një burokrat i aftë. Ai i qëndroi afër, dhe kishte komunikime të rregullta me presidentin. Për me tepër, ndërtoi një rrjet social të larmishëm, përfshirë vëllezërit gazetarë Zhozef dhe Stjuart Alsop dhe botuesen e të përditshmes “The Washington Post”, Katharine Graham.

Megjithatë, kontributi i vërtetë i Kisingerit ishte si strateg dhe negociator i shkathët. I pyetur në vitin 1976 për të vlerësuar aftësinë e tij si shtetar, ai u përgjigj:”Jam përpjekur – me atë sukses që do të duhet ta gjykojnë historianët – të kem një koncept mbizotërues”. Ai kombinoi strategjinë e madhe me “diplomacinë e palodhur”, dhe me aftësinë për të lexuar drejt homologët e tij të huaj.

Trashëgimia e Niksonit nga Lindon Xhonsoni ishte shumë problematike. Shtetet e Bashkuara ishin zhytur në Luftën e Vietnamit. Bashkimi Sovjetik po e zgjeronte ndikimin e tij, nga Lindja e Mesme në Amerikën e Jugut, dhe po fitonte garën e armëve bërthamore.

Strategjia kryesore e administratës Nikson, ishte të “vietnamizonte” luftën tokësore, duke i tërhequr me shpejtësi trupat amerikane, dhe duke e vënë theksin tek bombardimet strategjike kundër Vietnamit të Veriut, ndërsa në të njëjtën kohë synonte të shfrytëzonte ndarjen midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.

Në vitin 1972, administrata arriti atë që Kisinger e quajti “tre nga të treja”:vizita e Niksonit në Kinë në shkurt, samiti i Moskës në maj, dhe përparimi në tetor në bisedimet midis Kisinger dhe përfaqësuesit të Vietnamit të Veriut Le Duk To në Paris. Gjatë një telefonate me Niksonin, Kisinger i tha se kishte ndërtuar “gjithë atë rrjet të ndërlikuar”.

Në ndjekje të asaj loje strategjike me 3 drejtime, Kisingeri ishte i përgatitur që të sakrifikonte “gurët” më të vegjël në tabelën e shahut. Pakistani mori përparësi ndaj Indisë dhe Pakistanit Lindor (që u bë Bangladeshi), sepse Islamabadi ishte kanali kryesor diplomatik drejt Pekinit. Vietnami i Jugut dhe Tajvani, zbuluan se SHBA-ja ishte një aleate e paqëndrueshme. Kritikët e shumtë të Kisingerit, u përqendruan tek kostot njerëzore të vendimeve strategjike që ishin, siç e pranoi edhe Kisinger në shumë raste, zgjedhje të pashmangshme midis më të këqijave.

Rënia e Nikson nga pushteti, pati pasoja paradoksale për Kisinger. Nga njëra anë, e bëri atë edhe më të plotfuqishëm. Kur shpërtheu Lufta e Yom Kipurit, Nikson ishte aq shumë i zënë me problemet e brendshme, sa që Kisinger ishte në thelb drejtuesi kryesor i politikës së jashtme.

Megjithatë, pasojat e skandalit Uotergejt e sabotuar përpjekjen për të shmangur turpërimin në Vietnam. Rënia e Saigonit në vitin 1975, ishte një “pilulë” shumë e hidhur. Në kohën e skandalit Uotergejt, filozofi politik francez Rajmond Aron e paralajmëroi Kisingerin:”Bën mirë të lutesh për mbijetesën e Niksonit, sepse po ra ai, ata do të qepen ty”.

Ajo këshille ishte proverbiale. Në vitet 1970 ishin konservatorët, nga Uilliam F.Bakli tek guvernatori i Kalifornisë, Ronald Regan, ata që gjetën gabime të rënda në politikën e shkrirjes së akujve (detantës) me Moskën dhe Pekinin.

Ndërsa Lufta e Ftohtë po i afrohej fundit, dhe Regan përqafoi versionin e tij të detantës, kritika e së majtës ndaj Kisinger u bë edhe më e fortë. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, u bë më i lehtë denoncimi edhe i gabimeve më të të vogla që kishte kryer SHBA-ja gjatë Luftës së Ftohtë.

Megjithatë, edhe administratat e tjera që u përballën me zgjedhje të tilla, preferuan më shumë diktatorët ushtarakë sesa marksistët, dhe dërguan forcat amerikane në vendet e huaja. Ashpërsia disproporcionale e sulmeve ndaj Kisingerit, nuk ishte tërësisht e papritur për të, dhe kjo jo vetëm për shkak të përvojave të tij të hershme të antisemitizmit.

Si një historian i ri, ai kishte qenë shumë i vetëdijshëm për gati pamundësinë e një politike të jashtme që të ishte vërtetë popullore. Duke shkruar për Princin Meternih në librin e tij të parë “Një botë e restauruar” (1957), Kisinger vuri në dukje se shtetarët priren të kenë një “cilësi tragjike”, sepse “është në natyrën e politikave të suksesshme, që pasardhësit e harrojnë se sa lehtë gjërat mund të ishin ndryshe. . .Pra burri i shtetit, është si një nga heronjtë e dramës klasike që ka pasur një vizion për të ardhmen, por që nuk mund t’ua transmetojë atë drejtpërdrejt bashkëqytetarëve të tij”. Pa dashje, i riu Kisinger kishte shkruar epitafin e tij.

Shënim:Historiani Niall Ferguson është anëtar i Institutit Huver në SHBA, dhe autor i librit “Idealisti Kisinger, 1923-1968”.