Shehu: Kërkesa për kanabis në mjekësi është e papërfillshme, legalizimi bëhet që t’i hapet rrugë grupeve kriminale

Opozita është kundër legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Pas njoftimit të djeshëm nga ministrja Manastirliu ka reaguar edhe deputeti Tritan Shehu.

I ftuar në Fax nees, Shehu u shpreh se kërkesa për kanabis në sektorin e mjekësisë është e papërfillshme dhe se kjo bëhet për ti hapur rrugën grupeve kriminale që të trafikojnë lirisht kanabis.

“Kanabisi është një drogë, përdorimet e tij në mjekësi janë shumë të kufizuara dhe ato në mënyrë eksperimentale. Shqipëria nuk ka asnjë kapacitet për eksperimente mjekësore, është një nismë vjetër e kësaj mazhorancë, që do të shkatërrojë sidomos të rinjtë që tymosin gjithnjë e më shumë.

Është një lloj droge, që përbën një vepër penale. Qeveria i hap rrugën kanalizimit, dhe licencon grupet kriminale. Një eksperiment i tillë u provua në Maqedoni dhe dështoi, ndërkohë që në Itali kultivimi bëhet vetëm nën monitorimin e rrepte të ushtrisë.

Ky është një ligj që kërkon shumicë të cilësuar, dhe unë mendoj se të gjithë kolegët e opozitës do të dijnë që të mbajnë qëndrimet e tyre”, u shpreh deputeti demokrat.