Shehaj: Vetëm hetimi ndaj kryeministrit mund të mbyllë kapitullin e pandëshkueshmërisë

Agron Shehaj, deputeti dhe njëherazi drejtues i Partisë “Mundësia” ka folur në lidhje me arrestimin e ish-presidentit të vendit, Ilir Meta dy ditë më parë.

Agron Shehaj tha se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një nga vendet me të korruptuara në Evropë, duke shtuar se çdokush që ka abuzuar me pushtetin dhe thirret nga Prokuroria, duhet të shkojë dhe të japë sqarime.

Megjithatë për Shehajn, vetem hetimi ndaj kryeministrit mund të mbyllë kapitullin e pandëshkueshmërisë që vijon prej vitesh në vendin tonë.

“Nëse edhe ata që sot po abuzojnë me pushtetin, duke nisur nga Kryeministri, do të mund të flisnim për mbylljen e kapitullit 35 vjeçar të pandëshkueshmërisë. Janë me qindra Kryeministra që janë hetuar për korrupsion kudo në Perëndim. Rreziku që ne hasim në Shqipëri është që të mos ndodhë që të goditet vetëm opozita, dhe në anën tjetër, mazhorancës mos t’i ndodhë asgjë”, tha Shehaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24.

Për Shehajn, arrestimi i ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja është shumë domethënës. “Kemi qasjen se si nxirret para drejtësisë një përfaqësues i mazhorancës dhe një i opozitës. Në rastin e arrestimit të Çyrbes iu dha koha të dorëhiqej, u arrestua në një ambient privat, ndërsa në anën tjetër kemi ato pamjet e arrestimit të Ilir Metës”, tha Shehaj.