Shehaj takon Begajn: Presidenti nuk mund të caktojë datën e zgjedhjeve pak ditë pas mbledhjes së Samitit të Komunitetit Politik

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka nisur takimet me partitë politike për të caktuar një datë për mbajten e zgjedhjeve parlementare të vitit 2025.

Paraditen e kësaj të mërkure, kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka shkuar në zyrën e kreut të Shtetit për të dhënë mendimin e tij se kur do ishte një datë e favorshme për mbajtjen e tyre.

Aui foli për mediat, ndërsa tha se me Begajn ka biseduar mbi rëndësinë e procesit zgjedhor dhe krijimin e mundësive, që qytetarët shqiptarë të zgjedhin në mënyrë demokratike ata që do qeverisin vendin.

“Partia në pushtet fitoi 90% të bashkive. Kjo është një tregues i qartë mbi gjendjen e demokracisë dhe sesa të lira e të ndershme janë zgjedhjet në Shqipëri. Problemet janë të shumta, Presidenti sigurisht që formalisht ka shumë pak hapësira për të ndërhyrë, por roli i tij si institucioni më i rëndësishëm i vendit është shumë i rëndësishëm dhe ai mund të ketë ndikim me qëndrimet e tij, pavarësisht kompetencave që i parashikon ligji dhe Kushtetuta. Presidenti thjesht vuri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve dhe rëndësinë që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë, që të zgjedhin ata se kush do të qeverisi vendin”, tha ai.

Ai theksoi se Kreu i Shtetit nuk mund të vendosë datën e zgjedhjeve, dy ditë pas mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Europian, i cili pritet të mbahet më datë 9 maj në Tiranë, edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Ndërkohë, Shehaj pohoi se Kreu i Shtetit duhet t’u drejtohet zyrtarisht organizatorëve të këtij evenimenti se kur do mbahet Samiti, pasi mbajtja e tij pak ditë para zgjedhjeve do të ishte një favor të partisë në pushtet.

“Këtu jemi në nivel thashethemesh, nuk ka asnjë datë zyratre. Unë nuk e di informacionin nga e keni marrë ju, mund ta keni marrë në mënyrë jozyrtare, por unë mendoj se është absolutisht e papranueshme dhe e padobishme dhe me një ndikim shumë të madh në procesin zgjedhor në zgjedhjet ardhshme nëse një event kaq i rëndësishëm jo vetëm të mbahet dy ditë para, një javë para, por edhe një muaj para, kjo do ishte e panevojshme. Nuk e di nëse është data 9, por pikërisht këtë i thashë dhe presidentit. Presidenti i Republikës nuk mund të vendosë datën e zgjedhjeve të ardhshme duke u bazuar në infomacione të paverifikuara. Presidenti i Republikës duhet të komunikojë zyrtarisht me organizatorët e këtij takimi dhe të marrë informacion nëse kanë vendosur se kur do ta mbajnë, por sidomos, nëse nuk është vendosur, t’u kërkojë atyre, që mos ta mbajnë këtë takim në Shqipëri para zgjedhjeve, le ta bëjnë pas zgjedhjeve. Nuk besoj se kjo do të ishte problem për ata, për ne po është absolutisht një probelm i madh pasi partia në pushtet do ta përdorte këtë eveniment si një vlerësim për qeverinë shqiptare dhe jo për kombin’, tha ai.