Kryetari i Partisë “Mundësia” Agron Shehaj ka shprehur sërish mbështetjen për drejtësinë në vend, me SPAK dhe GJKKO që janë sulmuar vazhdimisht nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj, i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Shehaj shprehu edhe ambicien e Partisë që ai drejton, që në zgjedhjet e 11 Majit të arrijnë të fitojnë duke krijuar një grup parlamentar, si e vetmja rrugë për të vijuar me denoncuar korrupsionin e qeverisë, jo i vetëm, por me një grup deputetësh në Parlament.
“Kjo do të ishte historike në fakt, për politikën shqiptare sepse do të ishte hera e parë që një parti politike pa ndihmën e asnjë prej partive të mëdhaja hyn në Parlament me votat e veta”- u shpreh Shehaj.
Ai tha se Partia “Mundësia” do të ketë kandidatë në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e 11 Majit ndërsa shtoi se nuk do të jenë pjesë e asnjë koalicioni, pavarësisht ftesave që i kanë ardhur.
“Arsyeja është e thjeshtë, nuk kemi pika të përbashkëta me partitë e tjera politike të qendrës së djathtë. Në rastin konkret ftesa ka ardhur nga PD”- tha ndër të tjera Shehaj.