Pas denoncimit se Adriatik Lapaj ka marrë 45 milionë lekë nga një kompani nën hetim nga SPAK, që pastronte paratë e grupit kriminal “Çopja”, Agron Shehaj ka publikuar të tjera prova që lidhin Lapajn me krimin.
Në postimin e fundit, Shehaj tregon me dokumente se çfarë shërbimi i ka dhënë Lapaj kompanisë në hetim për pastrim parash nga SPAK. Sipas tij, Lapaj ka marrë përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë për një pronë miliona euroshe në bregdet. Por nuk mbaron këtu, pasi me këtë çështje është marrë vjehrri i tij, Alltun Çela, i cili në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës.
Shehaj thotë se ky sistem i korruptuar dhe i kalbur e ka ngritur Adriatik Lapajn në piedestal, i ka hapur dyert e mediave, e ka financuar dhe e ka mbrojtur, teksa shton se pas gjithë këtij teatri fshihet kryeministri Edi Rama.
Postimi i plotë i Shehaj:
Përgjigje për Adriatik Lapajn: Jo vetëm ka marrë para të pista, por arsyeja pse i ka marrë është dhe më e rëndë.
Këto janë dokumentet që tregojnë çfarë shërbimi i ka dhënë Lapaj kompanisë në hetim për pastrim parash nga SPAK.
E para është kontrata e shit-blerjes së një prone prej miliona euro në bregdet, midis kompanisë së akuzuar nga SPAK, pronarëve dhe Adriatik Lapajt. Lapaj merr përsipër regjistrimin e vendimit gjyqësor dhe nxjerrjen e certifikatës së pronësisë.
E dyta është një screenshot nga faqja e gjykatës që tregon se me këtë çështje është marrë vjehrri i Adriatikut, që në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës.
Ky është një teatër i madh! Është një mashtrim i madh që ka një regjizor, që është Edi Rama.
Ky sistem i korruptuar dhe i kalbur e ka ngritur Adriatik Lapajn në piedestal. I ka hapur dyert e mediave, e ka financuar dhe e ka mbrojtur.
Duan të çojnë në Parlament njerëz të kapur dhe të kapshëm. Të kompromentuar.
Nuk duhet të dorëzohemi! Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë dhe të pa shantazhueshme!
Akuza e parë e Shehajt, si Lapaj mori 45 milionë lekë nga kompania nn hetim nga SPAK:
Fredinandi më shkruajti sot në mëngjes dhe më tha:
“Jo të gjitha paratë që përdor Adriatiku janë para të pista, sepse disa nga ato para i kam dhënë edhe unë.” Edhe unë, thotë Fredinandi, kam dhënë një kontribut.
Ky është një dokument i vitit 2024. E gjeni në QKB. Është bilanci i një kompanie të sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash, që tregon se Adriatiku ka marrë 45 milion lekë. Pyete, meqë ke kontakte me të, pse i ka marrë këto para, sepse arsyeja pse i ka marrë është më e rëndë se fakti që i ka marrë.
Mua më vjen keq, sepse shumë prej atyre që mund të kenë besuar tek Adriatiku, por edhe ata që duan të vazhdojnë të besojnë, do të zhgënjehen. Por këto janë faktet. Shkoni dhe shikoni vetë. Është dokument publik.
E vërteta është që ky është një sistem i kalbur dhe Adriatiku është i mbështetur nga i gjithë sistemi. Jo vetëm kaq, por është i mbështetur edhe nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shikojmë në thellësi, sepse na kanë gënjyer dhe do të vazhdojnë të na gënjejnë.
Si pastroheshin paratë e “Çopjave” nga kompania e Kladji Merkajt, nga e cila Lapaj ka marrë 45 milionë lekë:
“Mandarine Drive” është një kompeks vilash luksoze në periferi të Tiranës, i ndërtuar në një kodër të butë, dikur të gjelbëruar pas qendrës tregtare TEG. Vilat i përkasin arkitekturës moderne, kanë secila pishina personale dhe listohen nga agjencitë imobilare me çmime shitjeje që variojnë nga 1 milion deri në 1.5 milionë euro secila.
Kompleksi “Mandarine Drive” është një investim i kompanisë Merkaj 3 sh.p.k, e themeluar në vitin 2013 nga Klajdi Merkaj kur ishte vetëm 24-vjeç, me aktivitet tregtinë e gomave për mjetet e rënda të transportit. Në vitin 2017, Merkaj ia shiti aksionet vëllait të tij dhe kompania shënoi një ngjitje të beftë, duke u përfshirë në projektin e ndërtimit të kompleksit të vilave “Mandarine Drive”.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga vendimi i Gjykatës së Posaçme sugjerojnë se Klajdi Merkaj vazhdoi të kryente veprime për llogari të kompanisë.
Komunikimet në aplikacionin Sky EÇ me Franc Çopjen e identifikojnë Merkajn si një person të angazhuar në transferta parash nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë. Në disa raste gjatë vitit 2020, ai i dërgon Çopjes kode postare, që sipas burimeve të hapura rezultojnë të jenë shtëpi në Londër, Luton dhe në periferi të Birmingamit.
Ai kujdeset gjithashtu që të shesë makinat e Çopjes si dhe të fshehë pronësinë e dy vilave të tyre në kompleksin “Mandarine Drive”.
“Shtetasi Klajdi Merkaj evidentohet si një nga personat e besuar që mban dhe menaxhon vlera monetare të konsiderueshme cash për llogari të shtetasit Franc Gergely,” thuhet në vendimin e gjykatës.
“… sipas porosisë dhe orientimit të shtetasit Franc Gergely (Çopja), ka marrë dhe ka transportuar vlera monetare cash, të cilat më pas janë investuar në ndërtim dhe blerjen e pasurive të patundshme për llogari të shtetasit Franc Gergely,” shtohet aty.
Përgjigja e Adriatik Lapaj:
Agroni sot ka thënë që unë kam marrë para nga krimi për politikë. Ka nxjerrë dhe një dokument që ai pretendon se unë kam marrë para nga krimi për politikë.
Pra, Agroni me zë e figurë, po u thotë shqiptarëve për politikë se unë kam marrë nga krimi 4,5 milionë lekë.
1. E para, dokumenti në fjalë është bilanci publik sipas ligjit i një kompanie private që tregon se i ka detyrim personit fizik Avokat Adriatik Lapaj 4,5 milion lekë. Në fakt, mua më kanë borxh shumë kompani e persona që i kam përfaqësuar si avokat!
2. E dyta, nuk kam marrë 4,5 milionë, kompania që citon ti m’i ka borxh për punën si avokat. Ka afro 2 vite që nuk më likuidon lekët. Hallet e veta. Nuk i’a kanë dalë! Gënjeshtra jote e parë!
3. Z. Shehaj ju pretendoni se unë jam paguar 4,5 milionë nga kjo kompani për politikë. Në fakt ky është mashtrimi juaj i dytë i kryer publikisht. Unë si avokat këtë profesion kam! Te rasti në fjalë kam ofruar shërbime civile dhe konkretisht kam qenë avokati që ka përfaqësuar 35 familje pronare të një toke që kompania në fjalë ka blerë. Si avokat kam përpiluar kontratat dhe kam ndjekur procesin juridik.
4. Z. Shehaj ju thoni që kompania në fjalë është sekuestruar nga Spaku duke synuar që të krijoni dëmtimin tim si imazh te votuesit. Pra, doni të krijoni perceptimin që Adriatiku bashkëpunon me krimin. Në fakt, kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Spak. Gënjeshtra jote e tretë! Administratori saj është nën hetim dhe është nën hetim për punë të veta që nuk lidhen as me funksionin e tij si administrator. Halli i vet! Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit. Gënjeshtra jote e katërt! Kjo për të qenë korrekt, se unë dhe sot mund ta përfaqësoj pa problem atë kompani ose administratorin e saj edhe në Spak se kjo është puna ime. Përfaqësues ligjor! Avokat!
5. Z. Shehaj, nëse do qenë para që krimi m’i jepte, do m’i kishin dhënë, e nuk do më mbeteshin borxh 2 vite. Madje do m’i jepnin jo me bankë!
6. Punën si avokat nuk ma kanë paguar dhe do duhet të vete në gjyq për t’i marrë. Ndoshta dhe nuk i marr dot e puna iku dëm! Po ky është hall për mua!
7. A janë kriminelë ata apo jo, për mua ka pak rëndësi se unë nuk kam profesion të qenit Klerik, por avokat. Avokati përfaqëson edhe ata që shkelin ligjin. Madje kryesisht ata që shkelin ligjin. Është si t’i thuash doktorit pse i hoqe dhëmballën një trafikanti.
8. Unë si avokat o Agron përfaqësoj këdo dhe kam detyrim t’i deklaroj në shtet. Fakti që janë deklaruar tregon se unë punoj me kontrata e fatura, jo në të zezë. Ndoshta ti je mësuar në të zezë!
9. Ti Agron për politikë nuk paske limite, por përballë ke një njeri të ligjit! Tani, o unë do dënohem nga gjykata për bashkëpunim me krimin e organizuar o ti do dënohesh për shpifje!
10. Pa dashje, ti Agron më bëre një nder! Nga teoria lekët t’i jep Sorosi, kaluat te teoria pse punon avokat! Me pak fjalë Sorosi paska qenë jo mjaftueshëm i pasur sa të më linte të kisha nevojë për para nga krimi.
Të mesme nuk ka!
Shihemi në gjykatë!
Ti që hyre në politikë pa të njohur askush e pas 8 viteve deputet bën revolucionarin duke më thënë mua që nuk kam punuar 1 ditë në shtet se unë jam sistemi që ty të paska nxirë jetën! Luftë kërkove, luftë do kesh! Dmth kur nuk pyes shefin tënd Saliun, ty do e shohësh rrugës çfarë të kam!