Shehaj nxjerr bllof Ballën nga protesta: Makina në Zvërnec ishte e drejtorit rajonal të Reuters

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka përgënjeshtruar kreun e grupit të PS Taulant Balla i cili tha se Shehaj braktisi protestën qytetare dhe u largua nga Shqipëria për fundjavë.

Kreu i Mundësia, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku duket të jetë i pranishëm mes mijëra protestuesve që janë mbledhur edhe sot në kryeqytet në ditën e shtatë të protestës.

Në mesazhin e tij, Shehaj gjithashtu ka përgënjeshtruar edhe një tjetër deklaratë të kreut të grupit të PS, Balla, lidhur me automjetin me targa serbe që është fotografuar sot në Zvërnec.

Balla publikoi foton e automjetit dhe pretendoi se në protestën e qytetarëve në Zvërnec kishte serbë, por Shehaj thekson se e vërteta është krejt ndryshe.

Sipas kreut të Mundësia, automjeti që ka publikuar Balla në rrjetet sociale është në fakt i drejtorit rajonal të Reuters që ndodhej në Zvërnec për të ndjekur nga afër zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri.

“Taulant Balla pasi gënjeu dhe tha që unë paskam braktisur protestën, sot e ka bërë më të madhe akoma. Ka parë një makinë me targa serbe në Zvërnec dhe ka thënë ja i kapëm serbët, janë serbët nuk janë shqiptarët. Taulant, të ka dalë boja prej kohësh, këta janë qytetarë që protestojnë kundër teje sepse u ke nxirë jetën, ti je pasuruar, ata janë varfëruar ose kanë ikur nga Shqipëria dhe nuk të ndahen. Vazhdo Taulant, na ndiq” ,- shprehet Shehaj.