Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp në lidhje me zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, ku opozita kërkon të dalë me një kandidat të vetëm.
Shehaj thejsoi se “Mundësia” do të futet në negociata me PD-së vetëm në rast se këta të fundit pranojnë që kandidati i përbashkët të jetë jo-politik, ose përndryshe nuk do të marrin pjesë në asnjë negociatë, pasi nuk duan të bëjnë pazare.
Ai tregoi se forca e tij politike i ka disa emra që mund të jenë kandidatë të denjë dhe mund të arrijnë të fitojnë përballë Ogerta Manastirliut, për të cilën tha se ka dosje në SPAK për shkak të abuzimit me paratë e qytetarëve.
Pjesë nga fjala e Shehajt:
Kemi thirrur këtë konferencë në lidhje me zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, duke patur parasysh se edhe PD ka njoftuar nisjen e negociatave për një kandidat të përbashkët opozitar. Ne kemi mbajtur një qëndrim dhe kemi thënë që ka vetëm një mënyrë për të fituar zgjedhjet në Tiranë, që opozita të ketë një kandidat që vjen nga jashtë politikës.
E vetmja alternativë është të kemi një kandidat që vjen jo nga radhët e partive politikë. Kemi 2 muaj që e kemi bërë këtë propozim, por nuk kemi marrë një përgjigje të prerë nga PD për këtë propozim.
Na kërkojnë të futemi në negociata, por përpara se të negociojmë, është shumë e rëndësishme që PD të na thotë nëse është apo nuk është për një kandidat të tillë, dhe nuk mund të luajë me dy porta. Ose PD të vazhdojë me mënyrën e vjetër ku të nxjerri një kandidat të PD, ose me mënyrën e re, ku opozita nxjerr një kandidat të përbashkët.
Dëgjoj shpesh hipoteza të llojit që nuk ka një kandidat të gatshëm, por nuk është fare e vërtet. Tirana ka qytetarët të ndershëm e të aftë, që janë të gatshëm të lënë punët e tyre për t’u vendosur në shërbim të qytetarëve. Më pyesin shpesh nëse kemi emra, absolutisht ne kemi disa alternativa shumë të mira, që jam i bindur se mund të fitojnë përballë kandidates së PS, që ka dosje në SPAK se ka abuzuar me paratë e shqiptarëve.
Por PD duhet të ndajë mendjen, nuk mund të ulemi duke mos ditur çfarë po negociojmë. Nëse duan të dinë nëse Partia Mundësia do mbështesë një kandidat të PD, përgjigja është ‘jo’. Nëse kanë ndarë mendjen që të kandidojnë një përfaqësues që bashkon opozitën, absolutisht dakort. Ky është një fillim, le ta fillojmë me Bashkinë e Tiranës, të tregojmë se Edi Rama mundet.
Nuk bëjmë pazare. Ne ulemi dhe flasim vetëm nëse marrim, një përgjigje nga PD, dhe angazhohet që të dalim me një kandidat nga jashtë politikës. Kjo ka qenë pengesa pse ne nuk jemi ulur me PD.