Shehaj në SHBA: Lufta e të korruptuarve ndaj SPAK sapo ka filluar! Të mbështesim drejtësinë

Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, mes tyre edhe sulmet që i janë bërë SPAK dhe GJKKO, fill pas arrestimit të kryebashkiakut, Erion Veliaj.

Nga SHBA ku ndodhet në një takim që do të zhvillojë me Diasporën, Shehaj ka thënë se lufta e të korruptuarve ndaj Prokurorisë së Posaçme sapo ka filluar ndërsa paralajmëroi se do të bëhet më e ashpër. Po ashtu Shehaj shprehu mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi ajo është e ardhmja e Shqipërisë.

Kryetari i partisë “Mundësia” iu drejtua me një thirrje qytetarëve që më 11 Maj të vendosin vendosni nëse lufta kundër korrupsionit do vazhdojë ose nëse SPAK-u dhe drejtësia do kapen prapë nga Edi Rama.

“Lufta e të korruptuarve kundër drejtësisë, kundër prokurorëve sapo ka filluar. Do bëhet gjithmonë e më e ashpër, ne duhet të vendosim, me kë jemi? Jemi me drejtësinë, jemi me SPAK-un, jemi me luftën kundër korrupsionit? Apo jemi me të korruptuarit? Që kërkojnë me çdo kusht të mbajnë pushtetin.

Pushteti është në dorën tuaj. Ju me votën tuaj në datën 11 maj mund të vendosni nëse lufta kundër korrupsionit do vazhdojë ose nëse SPAK-u dhe drejtësia do kapen prapë nga Edi Rama.

Të mbështesim drejtësinë! Kjo është e ardhmja e Shqipërisë Kjo është e vetmja e ardhme!”- u shpreh Shehaj.