Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka publikuar një video në rrjetet sociale nga një pikë karburanti, ku shpjegon me një shembull të thjeshtë se si pjesa më e madhe e çmimit të naftës në Shqipëri përbëhet nga taksat dhe jo nga vetë karburanti.
Sipas Shehajt, në 50 mijë lekë të vjetra naftë, nafta kushton 20 mijë lekë, ndërsa taksat e vendosura nga qeveria Rama 30 mijë.
Në videon e tij, Shehaj ndalet te mënyra se si qytetarët paguajnë çdo ditë më shumë për taksat sesa për naftën, duke akuzuar qeverinë se po mashtron me retorikën për uljen e çmimeve përmes bordeve dhe projektligjeve.
Sipas Shehajt, zgjidhja është e qartë: ulja e taksave mbi naftën, dhe jo ndërhyrjet administrative që, sipas tij, nuk kanë asnjë ndikim real mbi çmimin.
Deklarata:
“Tani, pjesa më e madhe e çmimit që paguajmë janë taksa, kurse pjesa më e vogël është nafta në të vërtetë dhe kostot: transporti, depozitimi dhe fitimi i shpërndarësve.
Mashtrimi më i madh që ndodh në lidhje me çmimin është që Rama në vend që të thotë: “O burra në këtë moment të vështirë që çmimi i naftës po rritet, për mos të rënduar xhepat e qytetarëve, ulim taksat që janë pjesa më e madhe (30 mijë lekëshi).” Po çfarë thotë, i gënjen njerëzit duke thënë: “Tani do të ulim në çmimin e naftës duke bërë Bordin për Çmimin,kur në fakt Rama nuk ka asnjë kontroll mbi çmimin. Sepse çmimi i naftës varet nga tregjet ndërkombëtare. Sigurisht, ka abuzim nga ortakët e Rames që janë këtu tregtarët më të mëdhenj të naftës. Por sidoqoftë, pjesa më e madhe që rëndon në çmimin përfundimtar të naftës janë taksat e qeverisë Rama.
Mos të harrojmë: Shqipëria ka çmimin më të lartë të naftës në Rajon, ndërkohë që është vendi me të ardhurat më të ulta në rajon. Dhe çmimi i naftës në Shqipëri është i lartë sepse Rama ka rritur taksat dhe i ka çuar ato në pothuajse 60% të çmimit final. Nuk ulet çmimi i naftës me projektligj por ulet duke ulur taksat mbi naftën.