Kryetari i Partisë Mundësia në fjalën e tij përpara Parlamentit u shpreh se është e pabesueshme që në vitin 2026 një parti politikë të organizojë një protestë kundër vjedhjes së pronave të qytetarëve shqiptarë.
Shehaj theksoi se grabitja e tokave të qytetarëve po bëhet nga pushtetarë dhe oligarkë të lidhur së bashku. Ndërsa theksoi se “nuk ka zyrtar që nuk ka një vilë në tokat që u kanë vjedhur shqiptarëve”.
Agron Shehaj: Qytetarët po vuajnë nga rrëmbimi i pronës. Është e pabesueshme se si në 2026 një parti politike duhet të organizojë për herë të parë një protestë kundër rrëmbimit të pronës. Nuk jemi në 45-ën kur pronat vidhehshin nga komunistët, jemi në 2026 dhe prona vijon e vidhet e kjo është e papranueshme.
Iu është vjedhur pronarëve legjitimë, ose më mirë nuk u është njohur kurrë. Sot po u vidhet edhe atyre që kanë certifikata pronësie.
Duhet të përgëzoj të gjithë protestuesit e Rrjollit dhe ata të Durrësit, po na frymëzoni të gjithëve. Kurrë nuk kishte ndodhur pavarësisht grushteve, të fortëve me kapuç, shkopave të gomës që i rrahin qëndrojnë aty, ata nuk dorëzohen. Jeni frymëzim për të gjithë shqiptarët.
Ne na keni në krah, për çështjen e pronës na keni në krah.
Ndërkohë që ju duroni dhunën e policisë private, ndërkohë që ju përplaseni me olgarkët, Parlamenti, partitë politike me kë janë? Janë me ata, kanë qenë me ata këto 35 vjet dhe nuk e hapin gojën jo vetëm se janë ortakë por sepse gënjejnë. Nuk ka resort në Jug që nuk ka deputetë, ministra, politikanë, zyrtarë me nga një vilë sepse ju kanë shitur dhe vazhdojnë ju shesin.
Vijnë na thonë që nuk keni letra, nuk keni se nuk ua kanë dhënë ua kanë mohuar. Nuk ka shqiptarë që nuk ka një histori dhimbje një kalvar me çështjen e pronës.