Shehaj kërkon hetim ndërkombëtar për mbetjet toksike: Do të groposen, në rrezik shëndeti i qytetarëve

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për mbetjet që janë në 102 konteinerët e sekuestruar nga Prokuroria.

Ai ngriti alarmin se këto mbetje toksike mund të groposen në fshehtësi, duke sjellë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.

“Është e domosdoshme një hetim ndërkombëtar që të zbardhi këtë aferë dhe të kuptojmë se çfarë mbetjesh toksike ka në këta kontenierë dhe të zbulojmë dhe të gjejmë mënyrën më të mirë për të asgjesuar këto mbetje. Nuk mund të lejojmë që kjo aferë mos të hetohet, nuk mund të lejojmë që këto mbetje toksike të groposen diku nëpër Shqipëri dhe askush mos të marri vesh se çfarë është bërë me to dhe shëndeti i qytetarëve të vihet në rrezik”, thotë Shehaj.

Ai hedh akuza ndaj Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mjedisit, për të cilat thotë se kanë qenë të paafta të ndalojnë trafikun e mbetjeve toksike nga Porti i Durrësit.

Madje, Shehaj ngre edhe dyshime se këto Ministri janë bërë pjesë e atij trafiku.

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, në rastin më të mirë për ta, nuk kanë arritur të ndalojnë trafikimin e mbetjeve toksike nga porti i Durrësit. Në rastin më të keq, janë pjesë e këtij trafikimi. Kjo është e pabesueshme. Si mundet dikush që është i dyshuari kryesor të bëjë hetimin mbi këtë aferë”, shprehet kreu i Mundësisë.