Shehaj jep shembullin nga RTSH: Si do i kursejmë shqiptarëve plot 1 miliard euro në vit

Duke qëndruar përballë RTSH-së, Agron Shehaj mori si shembull këtë institucion për të ilustruar atë që e cilësoi si abuzim flagrant me paratë publike. Shehaj tha se vetëm nga ristrukturimi i RTSH-së mund të kursehen 25 milionë euro në vit, ndërsa deklaroi se ‘Mundësia’ do ti kursejë shqiptarëve të paktën 1 miliard euro në vit nga shpenzimet e panevojshme të shtetit.

“RTSH-ja i kushton shqiptarëve rreth 30 milionë euro në vit dhe ka 1 mijë të punësuar. E dini sa të punësuar ka KLAN-i? Vetëm 300. Imagjinoni, me lekët tona mbajmë një televizion që na kushton me dhjetëra miliona euro për një rezultat qesharak, krahasuar me atë çfarë bëjnë televizionet private”, u shpreh Shehaj.

Ai theksoi se televizioni publik mund të funksionojë në mënyrë të denjë edhe me një buxhet shumë më modest.

“Ky televizion shumë mirë mund të punojë me 5 milionë euro, dhe edhe kjo shumë do të ishte e madhe. Vetëm këtu, mund të kursejmë 25 milionë euro”, theksoi kreu i “Mundësisë”.

Deklarata e Shehajt është pjesë e një propozimi më të gjerë për uljen drastike të kostove të administratës publike, si një mënyrë për të ndalur shpërdorimin e fondeve publike dhe për t’i kthyer ato në përfitime direkte për qytetarët.

“Nga 8.2 miliardë euro që kushton shteti shqiptar çdo vit, duam të kursejmë të paktën 1 miliard euro dhe këtë 1 miliard ta kthejmë në xhepat e qytetarëve, duke ulur taksat”, deklaroi Shehaj.

Në videon e shpërndarë për rrjetet sociale, Shehaj vazhdon ti komunikojë qytetarëve të rastesishëm shpenzimet e larta të RTSH-së dhe ata reagojnë me habi.

Partia Mundësia garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit me numrin 10.