Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise zhvilloi një takim me Altin Dumanin, mandati i të cilit në krye të SPAK përfundon në 16 dhjetor.
Debevoise shprehu vlerësimin e SHBA-ve për punën e Dumanit me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë.
Përmes një postimi, ambasada amerikane thotë se përpjekjet e Dumanit vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare. Ndërkohë shpresojnë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe me pasardhësin e tij.
Ky vlerësim për Dumanin vjen teksa i mbaron mandati ndërsa nesër do të zgjidhet kreu i ri i SPAK.
“Përballja me krimin ndërkombëtar kërkon një angazhim të përbashkët. Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij”- shkruan ambasada amerikane në Tiranë.