SHBA vendos tarifë të re prej 250 dollarësh për qytetarët që kërkojnë vizë amerikane

Vizitorët ndërkombëtarë që kërkojnë vizë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara së shpejti do të përballen me një tarifë të re prej të paktën 250 dollarësh, e njohur si “tarifa e integritetit të vizës”. Masa është përfshirë në një ligj të ri të politikës së brendshme të miratuar nga administrata Trump.

Tarifa do të aplikohet për të gjithë ata që kanë nevojë për viza jo-emigruese, përfshirë turistët, udhëtarët e biznesit, studentët ndërkombëtarë dhe vizitorët e përkohshëm. Vetëm gjatë vitit fiskal 2024, SHBA lëshoi gati 11 milionë viza të tilla.

Qytetarët e vendeve që janë pjesë e Programit të Heqjes së Vizave (Visa Waiver Program), si Australia dhe shumë shtete evropiane, nuk do të preken nga kjo tarifë për qëndrime deri në 90 ditë.

Tarifa do të paguhet në momentin e lëshimit të vizës dhe nuk do të ketë përjashtime nga pagesa. Sipas parashikimeve të ligjit, vizitorët që respektojnë kushtet e vizës së tyre mund të kërkojnë rimbursimin e shumës pas përfundimit të udhëtimit, ndonëse mekanizmi i rimbursimit ende nuk është sqaruar.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, që është përgjegjës për zbatimin e tarifës, nuk ka ofruar ende detaje mbi mënyrën e kthimit të parave apo afatet e zbatimit të masës. Tarifa synon të forcojë zbatimin e ligjeve të imigracionit, të parandalojë qëndrimet përtej afatit të vizës dhe të ndihmojë në financimin e sigurisë kufitare.

Sipas ligjit, tarifa fillestare për vitin fiskal 2025 do të jetë 250 dollarë ose një shumë më e madhe që mund të caktohet me rregullore nga Sekretari i Sigurisë Kombëtare. Tarifa do të rishikohet çdo vit në bazë të inflacionit. Në rastet kur nuk bëhet rimbursimi, shuma do të derdhet në fondin e përgjithshëm të Thesarit të Shtetit.

Megjithë investimet e parashikuara në modernizimin e pikave kufitare dhe kontrollit ajror, masa e re është kritikuar nga sektori i turizmit, i cili e sheh si një pengesë financiare që mund të ulë ndjeshëm numrin e vizitorëve të huaj në SHBA.