Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar për mundësi veprimesh të tjera amerikane ndaj një ishulli të vogël iranian, Kharg Island, i cili konsiderohet jetik për ekonominë e Iranit.
Në një intervistë për Financial Times, Trump deklaroi se dëshiron të marrë naftën e Iranit dhe se po shqyrtonte mundësinë e marrjes nën kontroll të ishullit. Megjithatë, ai theksoi se një operacion i tillë do të kërkonte një prani të zgjatur ushtarake.
Ideja për marrjen e ishullit ka kohë që qarkullon në qarqet strategjike. Një veprim i tillë do të bllokonte eksportet e naftës së Iranit dhe do t’i jepte SHBA-së një pikë strategjike për operacione të mëtejshme.
“Ndaj kemi shumë opsione,” tha Trump, duke shtuar se ishulli mund të merret shumë lehtë.
Sipas burimeve për CBS News, Pentagoni ka përgatitur plane të detajuara për dislokimin e forcave tokësore në Iran. Ndërkohë, US Central Command njoftoi se 3,500 marinsa dhe marinarë amerikanë janë dërguar në Lindjen e Mesme, si pjesë e një njësie të udhëhequr nga anija luftarake USS Tripoli.
Nga ana tjetër, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, paralajmëroi se forcat iraniane janë gati të përballen me çdo ndërhyrje, duke kërcënuar se do të “hedhin zjarr” mbi trupat amerikane.
Irani ka forcuar mbrojtjen në ishull, duke vendosur sisteme shtesë kundërajrore dhe mina detare, sipas raportimeve të CNN.
Pse është kaq i rëndësishëm Kharg?
Kharg Island ndodhet rreth 24 kilometra nga bregu i Iranit, por ka një rëndësi strategjike të jashtëzakonshme.
Rreth 90% e naftës bruto të Iranit eksportohet përmes këtij ishulli, duke e bërë atë një pikë kyçe për ekonominë e vendit dhe për të ardhurat e Islamic Revolutionary Guard Corps.
Nafta transportohet përmes tubacioneve nga territori iranian dhe ngarkohet në supertankerë që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
Pse SHBA nuk goditi infrastrukturën e naftës?
Shkatërrimi i plotë i infrastrukturës së ishullit do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë iraniane, por edhe një përshkallëzim i madh i konfliktit.
Një veprim i tillë mund të çonte në rritje të menjëhershme të çmimeve globale të naftës dhe në sulme hakmarrëse nga Irani ndaj infrastrukturës energjetike në rajon.
Ekspertët paralajmërojnë se Irani ka ende kapacitet për të përdorur dronë dhe mjete të tjera për të goditur objektiva në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe infrastrukturën jetike si impiantet e ujit të pijshëm.