SHBA sekuestron disa faqe të lidhura me Iranin që përhapnin propagandë terroriste, mes tyre edhe “Homeland Justice” që sulmoi Shqipërinë

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka sekuestruar disa faqe interneti që, sipas autoriteteve, përdoreshin nga Irani për përhapjen e propagandës terroriste.

Sipas njoftimit zyrtar, Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë kishte përdorur katër prej këtyre faqeve për publikimin e të dhënave sensitive të vjedhura përmes sulmeve kibernetike, si dhe për thirrje për vrasjen e gazetarëve, disidentëve të regjimit dhe qytetarëve izraelitë.

Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, paralajmëroi se “propaganda terroriste në internet mund të nxisë dhunë në botën reale”. Ndërkohë, drejtori i FBI, Kash Patel, deklaroi se agjencia do të ndjekë çdo person të përfshirë në kërcënime me vdekje dhe sulme kibernetike.

Ky veprim vjen një javë pasi dy sulme të ndara ndodhën në qytete amerikane. Njëra ndodhi në Old Dominion University në Norfolk, Virxhinia, ndërsa tjetra në Temple Israel në Miçigan. Të dyja po hetohen si akte terrorizmi.

Motivet e sulmeve mbeten ende të paqarta. Autoritetet thanë se personi që përplasi një kamion në sinagogën në Miçigan, para se të vritej gjatë një përplasjeje me rojet e sigurisë, ishte evidentuar më parë për lidhje me persona të dyshuar të grupit militant Hezbollah, megjithëse nuk besohej të ishte anëtar i tij.

Ndërkohë, autori i sulmit në universitetin në Virxhinia, i cili vrau një person dhe plagosi dy të tjerë, ishte një veteran dhe mbështetës i dënuar i ISIS. Ai u vra nga një grup studentësh në klasën e programit ROTC, ku kishte hapur zjarr.

Në një zhvillim tjetër, lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, raportohet se u vra në sulme të përbashkëta SHBA-Izrael muajin e kaluar, ndërsa sulmet kanë vijuar çdo ditë që prej asaj kohe.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, faqet e sekuestruara kishin publikuar fotografi, emra dhe të dhëna sensitive për rreth 190 persona të lidhur me qeverinë izraelite, së bashku me kërcënime dhe paralajmërime.

Autoritetet shtojnë se këto platforma janë përfshirë edhe në operacione të tjera kërcënuese dhe sulme kibernetike, si dhe në thirrje për atentate ndaj objektivave iraniane.

Mes faqeve të sekuestruara është edhe ajo e “Homeland Justice”, që ka kryer disa sulme kibernetike në institucionet shqiptare, duke publikuar të dhëna sensitive.