SHBA ngre akuza për një tjetër mik të Ramës, Presidenti i Bitcoin akuzohet për mashtrim

Një tjetër mik i kryeministrit Edi Rama është vënë nën hetim nga SHBA. Këtë herë bëhet fjalë për kinezo-kanadezin Changpeng Zhao, president i kompanisë Binance, e cila është një bursë këmbimi e kriptomonedhave.

Mediat e huaja raportojnë se Zhao përballet me 13 akuza, mes të cilave edhe se ka ngritur një rrjet mashtrimi. Sipas prokurorëve amerikanë, ky rrjet mashtrimi ka ushtruar presion duke bërë që Bitcoin të bjerë në nivelin më të ulët në pothuajse tre muaj. Ka qenë Komisioni i Bursave dhe Letrave me vlerë që ka depozituar padinë në një gjykatë federale në Uashington.

Sipas tyre, Binance ka rritur artificialisht vëllimet e tregtisë, ka devijuar fondet e klientëve, ka dështuar të kufizojë klientët amerikanë nga platforma e saj dhe ka mashtruar investitorët në lidhje me kontrollet e saj mbi tregun.

Kryeministri Rama u takua me Zhao në 26 Nëntor të vitit 2022, teksa krahas fotos së postuar në rrjetet sociale, miliarderi shkruante: “Jam takuar këtë të shtunë të bukur me kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama. Shtytja e adoptimit të kriptove nuk ndalet kurrë.”

Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë një tjetër mik i Ramës, ish-shefi i fBIsë Charles McGonigal u akuzua nga SHBA për korrupsion, ndërkohë që në çështje ishte i përfshirë edhe vetë kryeministri i Shqipërisë.