Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr përkohësisht sanksionet mbi naftën ruse të bllokuar në det, duke lejuar për 30 ditë blerjen e saj nga vendet e tjera, në përpjekje për të ulur rritjen e çmimeve globale.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi një “autorizim të përkohshëm” duke u lejuar vendeve të blejnë naftën ruse të bllokuar, teksa arsyetoi tutje se presidenti Donald Trumpi “po punon për të mbajtur çmimet e ulëta”.
“Kjo masë e përshtatur, afatshkurtër zbatohet vetëm për naftën që është tashmë në tranzit dhe nuk do të ofrojë përfitim të konsiderueshëm financiar për qeverinë ruse, e cila merr pjesën më të madhe të të ardhurave të saj nga energjia nga taksat në pikën e nxjerrjes”, theksoi Bessent.
Konflikti në Lindjen e Mesme ka mbyllur pothuajse ngushticën e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme në tregtinë globale, përmes së cilës kalojnë zakonisht rreth një e pesta e cisternave të naftës dhe gazit në botë.
Ndërsa administrata Trump është zotuar vazhdimisht të shoqërojë anijet përmes ngushticës, aktiviteti ende nuk është rikuperuar. Regjimi iranian ka deklaruar se nuk do të lejojë që “një litër naftë” të eksportohet nga rajoni ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit vazhdojnë.
Trump është përpjekur ditët e fundit të minojë shqetësimet në lidhje me çmimet e larta të naftës.
“Shtetet e Bashkuara janë prodhuesi më i madh i naftës në botë, deri tani, kështu që kur çmimet e naftës rriten, ne fitojmë shumë para”, shkroi ai në rrjetet sociale të enjten.
E, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka reaguar më vonë duke thënë se vendimi i SHBA-së për të lejuar blerjet e naftës ruse që aktualisht është bllokuar në det do të ndihmojë në stabilizimin e tregjeve globale të energjisë.
“Është e pamundur të stabilizohet tregu pa vëllime të konsiderueshme të naftës ruse”, theksoi ai.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i pati kërkuar Bashkimit Evropian që të heqë të gjitha sanksionet ndaj karburanteve fosile ruse, për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme. Ai i kishte dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për këtë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të hequr përkohësisht sanksionet mbi naftën ruse.
“Gjashtë anëtarë të G7-s kanë shprehur një pikëpamje shumë të qartë se ky nuk është sinjali i duhur për t’u dërguar”, ka thënë Merz gjatë një konference, raportoi AP.
“Ne mësuam këtë mëngjes se qeveria amerikane me sa duket paska vendosur ndryshe. Edhe një herë, ne besojmë se ky është vendim i gabuar”, shtoi ai.
Merzi ka theksuar se ka “problem me çmimin, por jo problem me furnizimin”, duke shtuar se dëshiron t’i dijë se cilat motive shtesë çuan në vendimin e SHBA-së.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten kanë hequr përkohësisht sanksionet mbi naftën ruse të bllokuar në det, ndërsa zyrtarët e administratës Trump përpiqen të përmbysin një rritje të çmimeve që po shkakton shqetësim në lidhje me furnizimet globale.
Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, njoftoi një “autorizim të përkohshëm” duke u lejuar vendeve të blejnë naftën ruse të bllokuar për 30 ditë. Ai arsyetoi tutje se Trumpi “po punon për të mbajtur çmimet e ulëta”.