SHBA do të lejojë Ukrainën të përdorë armatime amerikane për sulme brenda Rusisë

Administrata e Presidentit Joe Biden ka hequr kufizimet që nuk e lejonin Ukrainën të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters tre burime që kanë dijeni për këtë çështje, një ndryshim i rëndësishëm në politikën e Shteteve të Bashkuara lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi. Edhe agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se për herë të parë Presidenti Biden ka miratuar përdorimin e armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi në Rusi.

Ukraina planifikon të kryejë sulmet e saj të para me rreze të gjatë veprimi në ditët në vazhdim, thanë burimet për Reuters, pa dhënë detaje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e operacioneve.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentonte.

Ky vendim i Shteteve të Bashkuara, rreth 2 muaj përpara se Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të marrë detyrën më 20 janar, vjen pasi për muaj me radhë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy kishte kërkuar që ushtria e vendit të tij të lejohej të përdorte armatimet amerikane për të goditur objektivat ushtarake ruse që gjenden larg kufirit.

Ndryshimi i politikës vjen pas dislokimit të trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar forcat ruse, një zhvillim që ka alarmuar Uashingtonin dhe Kievin.

Sulmet e para në thellësi ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, sipas burimeve.

Ndërsa disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur skepticizëm nëse lejimi i sulmeve me rreze të gjatë do të arrinte të ndryshonte trajektoren e luftës, vendimi mund të ndihmojë Ukrainën në një moment kur forcat ruse po shënojnë përparime në terren dhe ndoshta ta vendosë Kievin në një pozicion më të mirë negociues në rast se mbahen bisedime për armëpushim.

Nuk është e qartë nëse Presidenti i zgjedhur Trump do ta ndryshojë vendimin e Presidentit Biden kur të marrë detyrën. Zoti Trump ka kritikuar shkallën e ndihmës financiare dhe ushtarake që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara për Ukrainën dhe është zotuar se do t’i japi fund luftës, pa shpjeguar se si.

Një zëdhënës i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë Reuters për koment, por një nga këshilltarët e afërt të tij për politikën e jashtme, Richard Grenell e kritikoi vendimin.

“Përshkallëzim i luftës para largimit nga zyra”, shkroi zoti Grenell në rrjetin X.

Megjithatë, disa të zgjedhur republikanë në Kongres i kanë kërkuar Presidentit Biden që të zbusë rregullat mbi përdorimin nga Ukraina të armëve të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara.

Rusia ka paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve për përdorimin e armëve amerikane nga Ukraina do të paraqiste një përshkallëzim të madh./VOA