Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë rënë dakord të ndalin përkohësisht sulmet në Gjirin Persik dhe të rikthehen në negociata për mosmarrëveshjet lidhur me Ngushticën e Hormuzit. Lajmi është bërë i ditur nga një zyrtar amerikan, duke rritur shpresat për shpëtimin e marrëveshjes së përkohshme të paqes, e cila ishte vënë në pikëpyetje pas disa ditësh përplasjesh ushtarake.
Sipas zyrtarit, bisedimet teknike do të vazhdojnë për të gjitha pikat e memorandumit me 14 pika, të dakordësuar më 17 qershor. Deri atëherë, të dyja palët do të ndalojnë veprimet ushtarake dhe lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të zhvillohet normalisht.
Më herët, portali Axios, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan, raportoi se bisedimet mes dy vendeve pritet të rifillojnë të martën në Katar.
Rikthimi në diplomaci vjen pas disa ditësh sulmesh dhe kundërsulmesh, të nisura pasi një predhë iraniane goditi një anije mallrash në Ngushticën e Hormuzit të enjten. Si Uashingtoni, ashtu edhe Teherani kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit të përkohshëm të arritur më 17 qershor.
Të dielën në mëngjes, Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein, pak pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Republika Islamike do të përballej me pasoja të rënda nëse nuk respektonte marrëveshjen për ndalimin e luftës.
Ndërkohë, Izraeli njoftoi se kishte goditur sërish objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor, duke shkatërruar infrastrukturë nëntokësore të përdorur nga grupi. Teherani ka deklaruar se përplasjet në Liban duhet të marrin fund në mënyrë që marrëveshja më e gjerë të mbetet në fuqi.
Më herët gjatë ditës, ushtria amerikane konfirmoi se kishte ndërmarrë sulme të reja ndaj objektivave iraniane, vetëm pak orë pasi një cisternë u godit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Në një postim në rrjetet sociale, presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA mund të detyrohet të përfundojë me forcë operacionin ushtarak nëse situata përshkallëzohet, duke paralajmëruar pasoja të rënda për Iranin.
Marrëveshja e përkohshme me 14 pika synonte ndalimin e luftimeve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa bisedimet do të vazhdonin për çështje kyçe, përfshirë programin bërthamor të Iranit.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, dhuna ka vijuar. Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se sulmet amerikane kishin shkelur armëpushimin dhe paralajmëroi se kjo mund të çojë në ndërprerjen e plotë të procesit diplomatik.
Nga ana tjetër, një zyrtar amerikan, i cituar nga Reuters, konfirmoi se objektivat amerikane në Kuvajt dhe Bahrein ishin sulmuar, por nuk raportohen viktima apo dëme të mëdha.
Autoritetet e Bahreinit njoftuan se një sulm iranian dëmtoi një ndërtesë banimi në provincën Muharraq, pa shkaktuar viktima, ndërsa Kuvajti deklaroi se mbrojtja ajrore kishte neutralizuar dy raketa balistike.
Ndërkohë, Katari bëri të ditur se një shtetas i tij humbi jetën pasi u plagos nga copëza predhash në bordin e një anijeje të zhdukur një ditë më parë. Një person tjetër mbeti i plagosur. Autoritetet thanë se incidenti lidhej me operacionet ushtarake në rajon, pa përcaktuar përgjegjësinë.